Petraeus: Bengazi, sulm terrorist

17/11/2012 00:00

Ish-shefi i CIA-s, gjenerali David Petraeus u ka thënë ligjvënësve amerikanë se sulmi ndaj konsullatës amerikane në Libi ishte një sulm terrorist.

Gjatë paraqitjes së tij në Capitol Hill ditën e premte, Petraeus tha se shpjegimi publik ishte modifikuar për të parandaluar alarmimin e grupeve militante të dyshuara.

Ai dha prova në Dhomën e Komisionit të Inteligjencës dhe në atë të Senatit, sesioni i të cilave ishte i mbyllur. Dëshmia mbi Bengazin vjen një javë pasi gjenerali Petraeus dha dorëheqjen nga posti i shefit të CIA-s.

Ai ka deklaruar se e ka lënë këtë post vetëm për shkak të lidhjes së tij jashtëmartesore me biografen Paula Broadwell dhe jo për shkak të menaxhimit të sulmit nga CIA.

Petraeus u mor në pyetje mbi jetën e tij personale në fillim të seancës, por ligjvënësit pranuan fjalën e tij se, marrëdhënia e fshehtë nuk kishte kompromentuar sigurinë kombëtare.

Republikanët kanë kritikuar Shtëpinë e Bardhë për ngjarjet në Bengazi, duke deklaruar se administrata manipuloi opinionin publik.

Ambasadori amerikan në Libi, Christopher Stevens ishte mes katër shtetasve amerikanë që humbën jetën më 11 shtator në Bengazi.

Edhe pse seancat u zhvilluan me dyer të mbyllura, anëtarët e komisionit u dhanë gazetarëve disa të dhëna mbi atë që kishte ndodhur.

Top Channel