
Sulmet ajrore izraelite kanë goditur selinë e qendrore të liderëve të Hamasit në Gaza, ndërsa bombardimet e enklavës bregdetare vazhduan për të katërtën ditë rresht.
Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes raportuan se dëme të konsiderueshme i janë shkaktuar ndërtesës, të cilën e vizitoi ditën e premte kryeministri egjiptian Hisham Qandil.
Të paktën 34 palestinezë dhe 3 izraelitë kanë mbetur të vrarë që kur Izraeli vrau kreun ushtarak të Hamasit ditën e mërkurë. Më herët Izraeli vendosi 75 mijë rezervistë në gatishmëri pas spekulimeve për një pushtim tokësor.
Militantët në Gaza kanë vazhduar të qëllojnë raketa drejt Izraelit gjatë së premtes, me shënjestra Tel Avivin dhe Jeruzalemin. Pas një ndërprerjeje gjatë natës, Qyteti i Gazës u trondit nga një seri shpërthimesh të fuqishme, rreth orës 03:00 me orën lokale.
Rreth dy orë më vonë u regjistrua një tjetër seri sulmesh brenda dhe përreth qytetit, të cilat kishin si objektiv ndërtesat qeveritare të Hamasit.
Megjithatë, sipas korrespondentëve, ndërtesat ishin bosh në momentet e sulmit. Korrespondenti i BBC citoi burime nga Gaza që thoshin se trupa të shumtë kanë mbetur nën rrënojat e shtëpisë së goditur në Jabalia, në veri të Gazës, por numri i viktimave është i paqartë.
Po sipas korrespondentëve, gjatë orëve të natës avionë të shumtë të telekomanduar kanë patrulluar Rripin, kryesisht zonat ku mendohet se ndodhen militantët.
Top Channel