Qeveria socialiste e Francës theksoi se të dhënat për gjendjen e ekonomisë janë më të mira nga sa ishin parashikuar, duke kundërshtuar një artikull të një gazete britanike, që e përshkruante Francën si një “bombë me sahat” për Europën.
”Franca nuk është njeriu i sëmurë i kontinentit. Mbetemi fuqia e pestë ekonomike e botës dhe kemi të gjithë potencialet dhe mundësitë që të rikuperojmë nivelin e besimit dhe konkurencës që kemi nevojë për t’u zhvilluar”, deklaroi te shtunen Pierre Moscovici, ministri i Financave, në “Financial Times”.
Parashikimet e fundit për ekonominë franceze, kanë vleresuar se vendi mund të përfshihet nga kriza e borxheve të Eurozonës, nëse qeveria Hollande nuk do të zbatojë reforma strukturore të ngjashme me ato që po realizohen në Itali dhe Spanjë.
Deklarata e Moscovicit erdhi pasi të enjten, të dhënat zyrtare mbi ekonominë treguan rikthimin e rritjes në kuotën e 0,2%, përkundrejt parashikimeve që vlerësonin se vendi do të përjetonte recesion.
”Ndryshe nga vlerësimet e mëparshme për rritjen, ekonomia franceze ruan potencialin e saj. Ne nuk jemi një ekonomi e dobësuar dhe pa resurse. Pyetja është, a do të jemi ne të aftë që të mobilizojmë këto asete për të fuqizuar ekonominë tonë”, deklaroi Moscovici.
Megjithatë, në artikullin e “The Economist”, që ngjalli reagimin e Parisit zyrtar, llogariteshin disa probleme serioze me të cilat ndeshet ekonomia e dytë më e madhe e Eurozonës, që përshijnë papunësinë e lartë, diferencën e madhe në defiçitin tregëtar dhe një sektor publik që përfshin 57% të aktivitetit të përgjithshëm ekonomik (PBB-së), kuota më e lartë në Eurozonë.
Njëkohësisht, besimi i biznesit në ekonominë e dytë më të madhe të Europës është në një rekord minimal, ndërsa rritja e taksave dhe e moshës së pensionit kanë shkaktuar pakënaqësi të mëtejshme.
Top Channel