Adis Medunjanin, 34 vjeç, u dënua në maj për vepra të shumëfishta terrorizmi në SHBA, përfshi edhe konspiracionin për përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë.
Dy ish shokë të tij të shkollës, të cilët ndihmuan në planin e sulmit, u deklaruan fajtorë dhe dëshmuan kundër Medunjanin. Këta ishin trajnuar nga Al-Qaeda në Pakistan, përpara se të pranonin të merrnin pjesë në këtë komplot, sipas prokurorëve.
Sulmi ishte planifikuar të koinçidonte me përvjetorin e 8-të të sulmeve të 11 shtatorit, por u ndal kur treshja e organizatorëve kuptuan se zyrtarë të zbatimit të ligjit po i ndiqnin ata.
Gjatë gjyqit, avokatët mbrojtës argumentuan se agjentët amerikanë e detyruan me të padrejtë Medunjanin dhe kërcënuan familjen e tij, duke pranuar se Medunjanin donte të luftonte për Talebanët, por nuk dëshironte të shkaktonte viktima në qytetin, ku banonte familja e tij.
Medunjanin u arrestua në janar 2010, kur u përpoq qëllimisht të përplaste makinën e tij në autostradën e rënduar nga trafiku në New York, gjë që prokurorët e cilësuan si përpjekjen e fundit për të kryer vrasjet, në seancën e tij gjyqësore.
“Drejtësia kërkoi dënimin me burgim të përjetshëm për këtë bashkëpunues të Al-Qaedas, i cili i ishte përkushtuar vrasjeve masive dhe shkatërrimit të metrove në qytetin e New York”, tha gjykatësja Loretta Lynch.
“Mjafton të kihet parasysh numri i qytetarëve, që do të ishin vrarë apo gjymtuar, nëse Medunjanin do të kishte patur sukses me planet e tij”.
Top Channel