
Deputeti socialist Erjon Brace thotë se situata e krijuar në tregun
energjetik i ka rrënjët pas, në vitin 2009 kur qeveria vendosi të
privatizonte monopolin e shpërndarjes.
“Pikërisht atëherë ne kundërshtuam me forcë privatizimin e kompanisë, duke i thënë Sali Berishës që nuk mundet që një monopol natyral të transferohet po si monopol tek një kompani private; që siguria kombëtare e do që Qeveria e Shqipërisë të mbante shumicën e aksioneve; e kundërshtuam për shkak të procedurave që po ndiqeshin; e kundërshtuam për shkak të çmimit me të cilin u shit; e kundërshtuam për një arsye akoma edhe më të fortë, mungesën totale dhe dramatike të transparencës të procesit të privatizimit”, tha Braçe.
Zoti Braçe akuzon se Qeveria heshti edhe atëherë kur opozita paralajmëroi se sistemi energjetik po zhytej në kolaps financiar, duke kërcënuar ekonominë kombëtare.
“Ju kam thënë para shtatë muajsh, që i gjithë sistemi elektroenergjitik shqiptar po hyn në mes të një zinxhiri borxhesh, që po e kthen sistemin në një piramidë shumë të madhe financiare. Një zinxhir i tërë borxhesh që e kalon vlerën e 1.2 miliardë dollarëve”, tha Braçe.
Deputeti socialist mendon se privatizimi i shpërndarjes për qëllime politike dhe në rrethana të dyshimta ka nga pas faturën, pjesa më e madhe e së cilës duhet ende të vijë.
“Shifra që CEZ pretendon nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë për t’u larguar nga Shqipëria është me tetë zero dhe janë para që nuk i ka të vetat as Sali Berisha, as ministri i Ekonomisë janë para që do të dalin nga xhepat e qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. Ta dëgjojnë sot mirë të gjithë shqiptarët se do të paguajnë një kosto si pasojë e veprimeve kriminale të Sali Berishës që prej vitit 2008 me tetë zero”, tha Braçe.
Ahmetaj: Prangat per ERE-n
Deputeti tjeter socialist Arben Ahmetaj deklaroi se ne keto kushte Sali Berisha dhe drejtuesit e Entit Rregullator te Energjise duhet te japin doreheqjen, pasi janë ata përgjegjesit e kësaj situate. Ahmetaj tha se prangat e policisë nuk duhet t’i shkojnë elektriçistëve të thjeshtë.
“Policia nuk mund të shkojë të arrestojë punonjës të një ndërmarrje, të cilët gjithësesi janë në detyrën e tyre. Do të duhej të ndalonte Entin Rregullator të Energjisë, komisionerët e entit rregullator të Energjisë për moskryerje detyre. Qeveria shqiptare nuk ekziston më, ka dështuar. Shqiptarët e panë, ajo dje mungonte, e ndërkohë që mijëra e mijëra qytetarë shqiptarë kishin mbetur pa drita dhe pa ujë e vazhdojnë sot po kështu. Ndërkohë sot Qeveria dhe Kryeministri heshtin”, tha Ahmetaj.
Top Channel