Britani, në pranga terroristi bask

16/11/2012 16:10

Policia e Liverpulit, në Britaninë e Madhe, arrestoi të premten një person të kërkuar në Spanjë në lidhje me dyshimin mbi akuza terrorizmi.

Ministria e Brendshme Spanjolle deklaroi se Raul Angel Fuentes Villota, një prej drejtuesve kryesore të grupit separtist bask “ETA”, ishte në kërkim prej 17 vitesh.

Mbi të rëndon akuza e vrasjes së shumëfishtë dhe pjesëmarrjes në një organizatë terroriste.

Policia britanike konfirmoi nëpërmjet një deklarate arrestimin e 46-vjeçarit, ndërsa shtoi se janë duke u realizuar bisedime me ambasadën spanjolle në Londër për ekstradimin e tij.

Sipas Madridit, Villota jetonte me dokumenta të rrëmë në Britaninë e Madhe dhe ishte në pritje të udhëzimeve të reja për të vazhduar aktivitetin e tij në llogari të “ETA”-s.

Një organizatë që kërkon shkëputjen e zonave baske nga territori spanjoll dhe formimin e një shteti të pavarur, “ETA” konsiderohet një organizatë terroriste nga Spanja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA