Militantët palestinezë goditën me dy raketa Tel Avivin, por autoritetet izraelite thanë se asnjëra prej tyre nuk preku zonën. Kjo ndodh për herë të parë prej vitit 1991, kur nisi Lufta e Gjirit.
Nuk pati viktima, por alarmi ishte në shkallën më të lartë në Izrael. Banorët e Tel Avivit vrapuan drejt vendstrehimeve, pasi u dëgjuan sirenat që paralajmërojnë rrezikun nga raketat.
Njëra prej tyre ra në jug të Tel Avivit, në Rishon Lezion, dhe tjetra në det. Sulmi u mor përsipër nga Xhihadi Islamik, i cili përmes një deklarate shpjegoi se njëra prej raketave ishte një Faxhër 5, prodhim iranian.
“Ne kemi zgjeruar betejën tonë për të arritur Tel Avivin dhe çfarë do të vijë më pas, do të jetë edhe më e madhe”, – shkruhej në deklaratë.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Ehud Barak, tha se “militantët palestinezë do të paguajnë një çmim shumë të lartë për goditjen me raketa kundër Tel Avivit”. Barak autorizoi mobilizimin e 30 mijë rezervistëve.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, tha se “do të bëj gjithçka të mundshme për të shmangur viktimat civile në konfliktet me Hamasin”.
Kryeministri Ismail Hanije, një prej udhëheqësve të Hamas-it, dënoi atë që ai e cilësoi një sulm barbar të Izraelit kundër Gazës.
Tre izraelitë u vranë nga raketat e lëshuara nga Gaza, ndërsa 15 palestinezë u vranë, mes tyre edhe civilë, pas ofensivës izraelite në këtë territor.
Nga ana tjetër, sipas autoriteteve izraelite, të paktën 274 raketa janë lëshuar nga Rripi i Gazës drejt Izraelit, prej të mërkurës, si kundërpërgjigje për vrasjen e Ahmed Xhabarit, kreut të krahut të armatosur të Hamas-it.
Disa prej tyre u interceptuan nga Sistemi i Mbrojtjes Anti-Raketë “Iron Dome”, ndërsa të tjerat goditën shënjestrat e tyre, përfshirë një bllok apartamentesh në Kiriat Malaci. Tre persona që jetonin në katin e fundit humbën jetën.
Top Channel