Gaza, 15 të vrarë nga bombardimet

15/11/2012 16:00

Është rënduar bilanci i viktimave të bombardimeve izraelite në Gaza, ku numërohen të paktën 15 të vdekur mes së mërkurës dhe së enjtes.

Lajmin e bën të ditur agjencia humanitare Gjysmëhëna e Kuqe, sipas të cilës mes viktimave janë edhe 3 fëmijë, ndërkohë që të plagosur janë 130 persona, mes të cilëve ka gjithashtu të mitur dhe gra.

Sipas burimit, disa prej tyre janë në gjendje të rëndë, ndërkohë që mungojnë edhe qeset plastike të sterilizuara për të mbledhur gjak nga donatorët.

Organizata humanitare palestineze bën të ditur më tej se edhe një bebe, një vajzë fare e vogël dhe një e re shtatëzënë janë mes viktimave të luftës me Izraelin.

Ndërkohë, edhe pala palestineze nga ana e saj ka reaguar, duke qëlluar një raketë që ka goditur një pallat në Kirjat Malaci, në jug të Izraelit, ku si pasojë kanë gjetur vdekjen dy gra dhe një burrë.

Mes të plagosurve janë një djalë 4 vjeç dhe dy vajza të vogla, të cilët janë dërguar në spital për shkak të plagëve. Edhe babai i një prej fëmijëve ka mbetur i plagosur.

Ndërkohë, mijëra palestinezë kanë sfiduar klimën e frikës dhe janë mbledhur në qendër të Gazës për të marrë pjesë në varrimin e Ahmed Jabari, kreu i grupit militant të Hamasit i vrarë një ditë më parë nga bombardimet e Izraelit.

Presidenti amerikan Barack Obama ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin egjiptian Mohamed Morsi, ku ka dënuar sulmin me raketa nga Gaza në Izrael dhe ka ritheksuar të drejtën e këtij të fundit për t’u mbrojtur.

Gjithashtu, Obama i ka ofruar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për vetëmbrojtjen e Izraelit.

Ndërsa Moska zyrtare i ka cilësuar si të tepruara sulmet e Izraelit në Gaza. “Është i papranueshëm një zhvillim i mëtejshëm i situatës i bazuar në një skenar ushtarak”, ka deklaruar Aleksandr Lukashevich, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme ruse.

Ndërkohë, është mbledhur me urgjencë Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Me kërkesë të Egjiptit, mbledhja është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe ka zgjatur pothuajse dy orë. Asnjë deklaratë zyrtare nuk ka pasur në fund të saj, por ambasadori indian Hardeep Singh Puri ka thënë se: “Dhuna duhet të ndalet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA