Çështja siriane, Rusia kritikon SHBA-në

15/11/2012 15:50

Ndërsa bilanci i viktimave në Siri i afrohet 40 mijë personave, ministri i Jashtëm i Rusisë lëshoi një sulm të ashpër ndaj qëndrimit që është duke mbajtur SHBA, Franca dhe shumica e vendeve arabe.

Në një postim të bërë në “Twitter”, Sergey Lavrov u shpreh “i lodhur dhe indinjuar” nga politika që bëhet në prapaskenë, si dhe mbështetja e armatosja që i bëhet kryengritësve sirianë prej këtyre vendeve.

”Opozitës siriane i është dhënë një sinjal i rremë, ndërsa pozitat e ekstremistëve, përfshi terroristëve, janë forcuar”, shkruhej në postimin e Lavrovit.

Ministri shtoi se qëndrimi i vendeve të cilësuara prej tij, ndaj Sirisë, binte ndesh me parimet dhe konventat ndërkombëtare, pjesë e rregullores së OKB-së.

Duke cituar deklaratat e Lavrovit, Ministria e Jashtme Ruse shtoi: “Nëse përparësia për disa vende është fati i Assadit, atëherë kjo do të paguhet me viktima të reja të pafajshme në Siri. Qëllimi ynë kryesor është që të parandalojmë gjakderdhjen dhe sakrifica të tilla”.

Gjatë luftës civile siriane, Moska zyrtare është shndërruar në një mbështetëse të vendosur të regjimit të Bashar al-Assad dhe ka avokatuar në arenën ndërkombëtare shmangien e ndërhyrjeve në vend, duke vlerësuar se lufta që po ndodh në Siri është një çështje e brendshme që duhet të zgjidhet nga autoritetet dhe palët ndërluftuese të atij vendi.

Aktualisht, në luftën që ka nisur prej marsit 2011, të paktën 37 400 sirianë kanë gjetur vdekjen, mbi 410 mijë janë zhvendosur në vendet fqinje dhe 2,5 milionë kanë braktisur banesat e tyre brenda Sirisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA