
Pas dështimit të parë, Qeveria do të tentojë sërish të shesë brenda
këtij viti katër hidrocentralet ekzistuese që ju shkëputën Korporatës
Elektroenergjetike Shqiptare.
Përmes një njoftimi zyrtar, Ministria e Ekonomisë ka rihapur zyrtarisht procesin, duke u bërë thirrje blerësve të interesuar që të paraqesin ofertat brenda datës dhjetë dhjetor për dy hidrocentralet e Bistricës dhe ato të Ulzës e Shkopetit. Sipas kritereve të paracaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, ofertuesit duhet të zotërojnë burime financiare minimalisht prej 25 milionë euro, të mos jenë në procedura falimentimi dhe të kenë eksperiencë teknike.
Dy hidrocentralet ai i Ulzës dhe Shkopetit, që kanë një kapacitet të instaluar përkatësisht 25.2 dhe 24 megavat do të privatizohen si një shoqëri e vetme. Sipas të dhënave zyrtare, kapitali i regjistruar kësaj shoqërie është 4.5 miliardë lekë, i ndarë në 4.5 milionë aksione me vlerë 1 mijë lekë secili.
Qeveria ka vendosur të shesë 100 për qind të aksioneve. E njëjta formë do të ndiqet edhe me dy hidrocentralet e Bistricës, të cilat edhe këto do të shiten si një shoqëri e vetme, me kapital të regjistruar rreth 6.2 miliardë lekë ose 62 milionë dollarë.
Edhe në këtë rast do të shiten 100 për qind të aksioneve dhe sipas qeverisë afati i fundit dorëzimit të ofertave është data dhjetë dhjetor në orën 11. Ministria e Ekonomisë tentoi t’i shesë njëherë të katra hidrocentralet, por tenderi dështoi pasi nuk u paraqit asnjë ofertë. Këtë herë Qeveria ka ndryshuar kriteret e pjesëmarrjes në tender duke shmangur fazën parakualifikuese dhe duke ulur vlerën e garancisë nga 10 milionë euro në dhjetë për qind të ofertës me shpresën se do të arrijë të mbyllë me sukses shitjen.
Top Channel