Rebelohet Europa

14/11/2012 00:00

Vala zemërimit mbi masat shtrënguese financiare bashkoi sindikatat më të mëdha të punonjësve në Europë me protesta të përgjithshme që hodhi në rrugët e Kontinentit të Vjetër mijëra njerëz.

40 grupime, nga 23 vende të ndryshme, janë përfshirë në këtë ditë proteste. Shtrirja gjeografike e protestave zaptoi thuajse të gjithë Europën, që nga Greqia, Italia, Spanja, Franca, Belgjika e madje edhe vetë Gjermania.

Manifestimet më masive u regjistruan në Itali dhe Spanjë. Roma, Napoli, Torino dhe Milano u paralizuan nga grevat e punonjësve ndërsa rrugët dhe sheshet u bllokuan nga protestuesit mes të cilëve edhe studentë. Këta të fundit u përleshën me forcat e sigurisë në Romë e Torino, ndërsa incidente u regjistruan edhe në Napoli.

E njëjta situatë edhe në Madrid. Mijëra protestues dolën në rrugët e kryeqytetit spanjoll duke kërkuar dhënien fund të masave shtrënguese. Me parrulla në duar “Mjaft është mjaft” dhe thirrje të tjera kundër Bashkimit Europian, ata u përleshën me policinë. Kjo e fundit përdori gaz lotsjellës, shkopinj e plumba gome për të shpërndarë turmën.

Në Portugali protestuesit mbanin në duar pankarta kundër kancelares gjermane Angela Merkel që për ta nuk ishte e mirëpritur, referuar këtu vizitës së të hënës ku Merkel u takua me kryeministrin portugez.

E solidarizimit me pjesën tjetër të Europës s’kishte si t’i mungonin grekët, që ndoshta janë më të goditurit nga masat shtrënguese financiare të kushtëzuara nga broxhi galopant që trashëgon prej vitesh vendi. Por ndryshe nga herët e tjera protesta këtë herë ishte paqësore. Policia në Athinë raportoi se të paktën 5 mijë protestues dolën në rrugët e kryeqytetit dhe numri i incidenteve ishte zero.

Në Francë e Belgjikë pati tubime masive në disa qytete, ndërsa në Gjermaninë e paprekur nga kriza, punonjësit u solidarizuan me kolegët e tyre në pjesët e tjera të kontinentit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA