PPE kërkon rikandidimin e Montit

14/11/2012 00:00

Partitë e Popullore të qendrës së djathtë në Europë zhvilluan samitin e radhës në Bruksel ku kryefjala sërish mbeti kriza financiare. Një vëmendje e veçantë iu kushtua Italisë, ekonomia e tretë më e madhe në Eurozonë, që ende lundron në ujëra të turbullta jo vetëm financiare, por edhe politike.

Për këtë anëtarët më me peshë të të djathtëve europianë që qeverisin në shumicën e vendeve të Europës, i kërkuan kryeministrin italian, Mario Montit të rikandidojë në zgjedhjet e ardhshme.

“Ne shprehëm qartë dëshirën tonë që do të na pëlqente të shihnim Montin si kandidat të qendrës së djathtë dhe për këtë kemi shpresa se kryeministri do ta konsiderojë kërkesën tonë”, deklaroi Elmar Brok, një eurodeputet i CDU-së.

Në fakt kandidatura e Montit ka marrë bekimin edhe të vetë Silvio Berlusconi-t. ish-kryeministri italian, në një deklaratë të mëhershme, pasi njoftoi rikandidimin e tij dhe pasi lëshoi një lumë akuzash ndaj kryeministrit aktual italian, bëri një hap pas duke u shprehur se do të tërhiqej nga vendimi për të kandiduar nëse këtë do ta bënte Monti.

Burime të agjencisë italiane të lajmeve, ANSA thonë se edhe kancelarja gjermane i ka kërkuar Montit kandidimin, ndërsa të djathtët holandezë bënë të qartë se nuk mbështesin asnjë kandidaturë tjetër përvec Montit.

Monti njoftoi në fillim të kësaj jave vendimin e tij për të mos rikandiduar në zgjedhjet që pritet të mbahen dy muajt e parë të vitit të ardhshëm. Ai tha se do të qendrojë në krye të qeverisë deri në momentin e miratimit të reformave strategjike e më pas do të dorëhiqej.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA