Për sa kohë kë burgje, ka edhe arratisje. Ky është një proverb i njohur që qarkullon kryesisht në ambientet e vuajtjes së dënimit. Pavarësisht masave të shumta të sigurisë, të burgosurit e gjejnë një mënyrë për tu arratisur.

Në pjesën më të madhe të rasteve arratisjet nuk përfundojnë me sukses, por ka edhe raste kur të burgosurit kanë hartuar plane për tu patur zili edhe pse në anën e kundërt të ligjit.

E tillë është edhe historia e një 17-vjeçari, i cili ka tentuar së fundmi të arratiset nga burgu 325 në Tiranë. Mësohet se të afërmit e të riut kanë tentuar ta nxjerrin atë nga dhomat e paraburgimit me anë të dy valixheve. I riu i cili ndodhej në paraburgim prej gjashtë muajsh ka tentuar të organizojë një skenar arratisjeje të ngjashëm me ato në filma. Plani ka dështuar në pikën finale pasi rojet e sigurisë kanë kontrolluar valixhet pas dyshimeve për valixhen e madhe. Pasi është zbuluar se në të ishte fshehur 17-vjeçari, ai është rikthyer në qeli.

Por cilat janë masat e sigurisë që u zbatuan në ndalimin e kësaj aventure adoleshentësh. Specialistja e regjimit në burgun 325, komisare Mimoza Rumano, shpjegon: “Pasi ishte kaluar porta e fundit, dy të dënuar afrohen me një çantë policit roje ku ishte një person rreth 40 kilogramë. Polici bëri detyrën e tij duke e kontrolluar çantën.”

Mes studiuesve të filozofisë së të drejtës mbetet ende i pazgjidhur diskutimi lidhur me dënimin ose jo të një përpjekjeje për tu arratisur nga burgu. A është legjitime ta quash krim arratisjen dhe ta dënosh penalisht?

“Detyra jonë është vëzhgimi i pandërprerë i ambientit, mbikqyrja e të dënuarve me qëlli që të parandalojmë tentativat e arratisjes, kontrolli fizik i tyre gjatë kalimit të rrethimeve dhe shoqërimi i tyre me grup sigurie për çdo veprim”, tregon komisare Rumano.

Kontigjenti që shkel ligjin futet në burg për shpërndarje droge, vjedhje, nxitje prostitucioni dhe vrasje. Vuajtësit e dënimit të cilët ende nuk e kanë “fjetur mendjen” përpiqen dëshpërimisht për tu arratisur, por masat e rrepta të Drejtorisë së Burgjeve janë shumë specifike duke bërë që të dështojnë pambarimisht planet për një liri të pamerituar.

Arratisjet nga burgjet shqiptare

Në listën e 5 arratisjeve më të bujshme në Shqipëri mund të përmendim mënyrat më të pazakonta me të cilat është tentuar të kalohet pragu i burgut.

Planet nisin që me gërmimin e tuneleve të nëndheshme e deri tek futja në ambientet e burgut të fijeve të diamantit për të prerë hekurat.

Më 4 shkurt të vitit 2005, në burgun 302 në kryeqytet, u zbulua dalja e një tuneli prej 26 metrash. Hyrja e tij ishte në një dyqan lulesh, në anën tjetër të rrugës, përballë burgut. Arkitekti i kësaj tentative ishte Gazmend Braka, i njohur si “Gaxhai”. Policia ndërhyri duke mbyllur tunelin, por nuk arriti të kapë autorët e hapjes së tij. Kjo nuk ishte hera e parë që “Gaxhai” tentonte arratisjen, por ishte më e veçanta për nga mënyra si ishte planifikuar.

Një arratisje me skenar ka qenë ajo e dy të dënuarve: Frang Marashi dhe Preng Lleshi nga burgu i sigurisë së lartë në Burrel. Në ambientet e qelisë u gjet një fije diamanti me vlerë prej 5 mijë eurosh që realizon prerjen e hekurave. Fija ishte elastike, çka u ka dhënë mundësi personave jashtë burgut ta fshihnin mes ushqimeve dhe sendeve të tjera që kanë futur në burg për njërin nga dy të arratisurit. Ata i kishin prerë hekurat për 4 orë.

Një tjetër arratisje që ka bërë bujë është ajo e Ajet Markajt, nga sektori numër 3 i paraburgimit në burgun 313. Në momentin që po luante futboll me të paraburgosurit e tjerë, 20-vjeçari i është afruar policit që ndodhej në fushë, e ka shtyrë dhe është kacavjerrë në telat me gjemba për të kaluar murin rrethues. Efektivi i sigurisë është ngritur duke i kapur këmbën e majtë, por i ka mbetur atletja në dorë. Më pas ka kaluar murin, por polici roje ka qëlluar me armën e tij të punës disa herë, por nuk e ka ndalur dot të riun.

Dritan Rexhepi
do të arrestohej më 30 mars të vitit 2008 pas një operacioni të policisë në Amsterdam të Hollandës dhe do të ekstradohej në Itali ku kërkohej për disa krime. Pas arratisjes nga burgjet italiane në 18 mars të vitit 2011, Dritan Rexhepi u arrestua në Spanjë, por u arratis sërish duke bërë që emri i tij të kryesonte listën e Interpolit.

Burgjet më të famshme në botë

Nëse flasim për arratisje të mirëmenduara duhet të kthehemi pas në historinë botërore, ku dëshira për liri ka bërë që mendja njerëzore të shpikë pajisje dhe të hartojë plane perfekte duke bërë që të dënuarit të zhduken pa asnjë zhurmë nga burgjet më famëkeqe të kohës.

Njerëz të dëshpëruar kanë bërë të pamundurën të mundur duke dalë nga burgjet e sigurisë më të lartë, siç është Alcatrazi. Ja disa nga arratisjet më spektakolare:

Koldix ka qenë një prej burgjeve më të famshme gjermane të burgosurve të luftës, ku vendoseshin oficerë të Luftës së Dytë Botërore. Dy pilotë britanikë ideuan një avion pa motorr për tu arratisur.

Stalagluf 3 ishte një kamp gjerman i të burgosurve të luftës ku mbaheshin anëtarë të forcave ajrore. Në janar të vitit 1943, Roxher Bashall udhëhoqi një komplot për një arratisje të madhe nga kampi. Plani synonte hapjen e tre tuneleve të thella me emrat Tom, Dik dhe Herri.

Paskal Pajet meriton një vend në listë. Ai është arratisur dy herë nga burgjet e sigurisë së lartë në Francë dhe çdo herë me helikopter. Ai gjithashtu ka ndihmuar arratisjen e tre të burgosurve të tjerë.

Arratisja Libi ishte më e famshmja gjatë Luftës Civile në Amerikë. Natën e 9 shkurtit 1864, më shumë se 100 ushtarë të burgosur arritën të largoheshin në Riçmond të Virxhinias. 59 prej tyre arritën në frontin e Unionit, 48 u kapën dhe 2 u mbytën në lumë.

Në 29 vite, burgu i Alkatrazit ka pasur 14 përpjekje arratisjeje. Të gjithë tentativat kanë dështuar përveç dy rasteve. Në vitin 1937 dhe 1962, dy të burgosur janë zhdukur pa lënë gjurmë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA