
Mbi 20 vite nevojiten për të përfunduar shqyrtimi i 15 mijë amandamenteve të BDI-së, lidhur me projektligjin për forcat maqedonase të sigurisë.
Dy ditë nga fillimi i debatit në Komisionin parlamentar për punë dhe politikë sociale, janë shqyrtuar vetëm dy amandamente. Megjithatë, opozita shqiptare vlerëson se kjo nuk është mënyra se si bllokokohet ligji.
“Unë jam i bindur se ky ligj do të miratohet. Sepse do të shfrytëzohen të gjitha proccedurat parlamentare, që ky ligj të miratohet. Dhe ky ligj do të përfundojë si ligjet dhe projektet e tjera. P.sh, BDI thoshte se nuk do të ketë kishë në qendër të Shkupit, por ja që filloi ndërtimi i saj”, tha Izet Zeqiri, deputet i RDK-së.
Polemikat më të ashpra u zhvilluan mes deputetëve të BDI-së dhe PDSH-së. Deputeti Ziadin Sela akuzoi BDI se po bën teatër në Kuvend, ndërsa Arben Llabenishta i ofroi kolegut të PDSH-së një çakmak për djegien e Kuvendit, pasi ditë më parë Sela kërcënoi se do t’i vinte zjarrin Parlamentit, nëse miratohet ligji për forcat maqedonase të sigurisë.
“Ju, të cilët sot silleni sikur po bëni namin për të bllokuar një ligj, keni hallin se do t’u ikë pushteti nga dora, prandaj po e bëni gjithë këtë zhurmë. Është e turpshme, që 10 vite në pushtet gënjeni popullin dhe thoni që do e zgjidhni statusin e UCK-së dhe pastaj del sekretari juaj i përgjithshëm, Abdilhaqim Ademi, e thotë se asnjëherë nuk jemi marrë vesh me partnerin e koalicionit për të zgjidhur cështjen e luftëtarëve të UCK-së. Këto janë vetëm lojra dhe teatër para opinionit, që të mbijetoni politikisht”, tha Zijadin Sela, deputet i PDSH-së.
“Sela e ka shumë të qartë, që ky ligj nuk ka për të kaluar, sepse nuk e lejojnë 15 mijë amandamentet e BDI-së. Të mos e dinte këtë, do të ishte një gjë tjetër, por derisa e dinë, atëherë edhe një herë po i them publikisht, në qoftë se mendon se djegia e Kuvendit është rruga për të ndaluar dhe se ne nuk dijmë të ndalojmë këtë ligj, edhe një herë po iu them se nëse iu mungon shkrepsja, urdhëro ja ku e keni. Tregoji popullit për sinqeritetin tënd, tregoji se gjërat që thua i ke serioze” tha Arben Llabenishta, deputet i BDI-së.
Sipas opozitës shqiptare, për të penguar sjelljen ligjeve të njëanshme, është e nevojshme të ndryshohet vendimmarrja në Maqedoni dhe të ndalohet mbivotimi i shqiptarëve nga deputetët maqedonas.
Top Channel