
Zëvendëskryeministri i Kroacisë, Radimir Çaçiç është dënuar të mërkurën me 22 muaj burg nga një gjykatë hungareze, në lidhje me një aksident rrugor të ndodhur në vitin 2010 në Hungari, që u mori jetën dy personave.
Lajmin e kanë bërë të ditur një zëdhënës i gjykatës dhe vetë avokati i zyrtarit kroat për agjencinë e lajmeve “Reuters”.
Çaçiç, që është një aleat i ngushtë i kryeministrit Zoran Milanoviç, ka njoftuar ndërkohë se ka dhënë dorëheqjen nga të gjitha funksionet, përfshirë atë të ministrit të Ekonomisë.
Attila Vadocz, zëdhënës i gjykatës së Kaposvarit, tha për “Reuters” se vendimi nuk ka mundësi apelimi. Në një seancë të mbajtur në muajin qershor Çaçiç iu dha një vendim i pezulluar, që u rrëzua sot nga vendimi i ri.
“Kjo do të thotë se vendimi për një vit dhe 10 muaj burg duhet të zbatohet”, tha Vadocz, duke shtuar se zyrtari kroat mund të lirohet me kusht vetëm pasi të ketë shlyer gjysmën e dënimit.
Çaçiç ende nuk e ka komentuar vendimin, por sipas zëdhënësit të gjykatës, ai duhet të nisë të aplikohet brenda 1 ose 2 muaj pas shpalljes.
Vendimi përbën një goditje të fortë për qeverinë e Milanoviç. Zëvendësit të tij i është caktuar detyra për menaxhimin e investimeve në sektorin publik, kryesisht në energji dhe infrastrukturë, të cilat sipas qeverisë 1-vjeçare do të ndihmojnë në rimëkëmbjen e ekonomisë pas muajsh të tërë pa rritje.
Çaçiç po udhëtonte me makinë në autostradën kryesore të Hungarisë në vitin 2010, kur papritur u përplas me një makinë tjetër. Impakti plagosi dy pasagjerë, të cilët ndërruan jetë më vonë në spital.
Atëherë Çaçiç e pranoi fajin por tha se ishte paksa i çorientuar nga mjegulla dhe se makina tjetër po ecte shumë ngadalë dhe pasagjerët e saj s’kishin vënë rripat e sigurimit.
Top Channel