Tragjike në Itali/ Ishin duke bërë ski, dy alpinistët humbin jetën, dyshohet se… Pentagoni po heton kryekomandantin amerikan në Afganistan, John Allen për dërgim të mundshëm të mesazheve “jo të hijshme” një gruaje të lidhur me ish-drejtorin e CIA-s, David Petraeus.
Sekretari i Mbrojtjes, Leon Panetta deklaroi se FBI raportoi për çështjen në fjalë në Pentagon ditën e diel. Gjenerali Allen, që mohon të ketë bërë shkelje, do të qëndrojë gjithësesi në detyrë.
Ndërkohë, presidenti amerikan Barack Obama, me kërkesë të zotit Panetta, ka pezulluar emërimin e gjeneralit Allen për t’u bërë komandanti suprem i NATO-s në Evropë.
Panetta urdhëroi Pentagonin ditën e hënë që të hetojë gjeneralin Allen dhe i kërkoi Komitetit të Shërbimeve Ushtarake të Senatit që të shqyrtojë emërimin e pasardhësit të tij në Afganistan, gjeneralit Joseph Dunford.
Gjenerali Allen ishte në pritje të konfirmimit nga Senati të caktimit të tij si komandant i NATO-s në Evropë. Zoti Panetta vlerësoi punën e gjeneralit në Afganistan, duke thënë se lidershipi i tij ka qenë një “instrument” në arritjen e progresit në luftën kundër talebanëve.
Thuhet se zoti Allen i ka dërguar mesazhe elektronike Jill Kelley, një grua e martuar nga Tampa, e cila është përfshirë në skandalin e Petraeus pasi i tha FBI-së se kishte marrë emaile anonime dhe ngacmuese.
Zonja Kelley thuhet se ka marrë mesazhe kërcënuese nga Paula Broadwell, gruaja me të cilën Petraeus kishte një marrëdhënie jashtëmartesore.
Një oficer i Pentagonit deklaroi se deri në 30 mijë faqe email dhe dokumente të tjera nga komunikimet e gjeneralit Allen dhe zonjës Kelley mes viteve 2010 dhe 2012 po kontrollohen nga Pentagoni.
Top Channel