Administrata Obama do të vendosë brenda javëve të ardhshme për nivelin e përfshirjes së saj në Afganistan pas tërheqjes së trupave, të fiksuar për në vitin 2014.
Aktualisht, anëtaret e koalicionit të ISAF-it janë duke tërhequr gradualisht prezencën e tyre nga vendi aziatik, por SHBA do të vazhdojë të ruajë një numër të pacaktuar forcash edhe pasi ky proces të përfundojë, të paktën sipas një deklarate të bërë nga Sekretari i Mbrojtjes, Leon Panetta.
Deklarata e Panettas u bë në kuadrin e një takimi me ministra të mbrojtjes të disa vendeve aziatike e Australisë dhe u raportua të martën nga “CNN”.
Ai saktësoi se komandanti i NATO-s në Afganistan, gjenerali John Allen, së fundmi ka parashtruar një sërë planesh për fazën finale të prezencës amerikane në vend.
Pentagoni dhe Shtëpia e Bardhë duhet të marrin në vlerësim këto opsione dhe të vendosin për një plan përfundimtar.
”Shpresa ime është se do të përfundojmë këtë proces në javët e ardhshme. Kam bindjen se do të arrijmë të vendosim nivelin e duhur të pjesëmarrjes në Afganistan për periudhën pas vitit 2014”, deklaroi Panetta.
Top Channel