Sulm me dronë pranë kufirit me Venezuelën, gjashtë ushtarë të vrarë, dhjetëra të plagosur në Kolumbi
Presidenti amerikan Barack Obama po mendon t’i kërkojë senatorit John F.
Kerry që të pranojë detyrën e sekretarit të Mbrojtjes, si pjesë e një
riformatimi të ekipit të sigurisë kombëtare, që do të përfshijë edhe
zëvendësimin e drejtorit të dorëhequr të CIA-s, David Petraeus.
Edhe pse Kerry thuhet se dëshiron detyrën e sekretarit të Shtetit, zyrtarët e administratës janë të bindur se ky post do t’i shkojë ambasadores amerikane në OKB, Susan E. Rice.
John O. Brennan, këshilltari i presidentit kundër terrorizmit, është një kandidat potencial për drejtimin e CIA-s, gjithmonë nëse do të dëshirojë, saktësojnë burimet e cituara nga “Wall Street Journal”.
Nëse Brennan vazhdon me planin e tij për të braktisur qeverinë, atëherë Michael J. Morell, drejtori në detyrë i agjencisë, është favorit për të marrë detyrën me kohë të plotë.
Zyrtarë të administratës thanë me kujdes se diskutimet në Shtëpinë e Bardhë janë ende në fazat fillestare dhe ende nuk është marrë një vendim.
Dorëheqja e Petraeus javën e kaluar pas zbulimit të një marrëdhënieje jashtëmartesore ka komplikuar atë që prej kohësh dukej një mozaik i intriguar për riformatimin e stafit për sigurinë kombëtare dhe diplomacinë, në administratën e dytë të presidentit Obama.
Por proçesi është bërë edhe më i komplikuar nga irritimi i kongresmenëve për faktin se nuk ishin informuar që Petraeus ishte nën hetim nga FBI, çështje mbi të cilën do të zhvillohen seanca me dyer të mbyllura gjatë javës, të cilat do të përqendrohen mbi sulmin e 11 shtatorit ndaj konsullatës amerikane në Bengazi të Libisë.
Top Channel