Qeveria greke arriti të siguronte fonde të cilat shmangin falimentimin e menjëhershëm në rast të zgjatjes së bisedimeve për kredinë prej 32 miliardë eurosh nga trojka, nëpërmjet shitjes së bonove të thesareve me afat të shkurtër maturimi.
Athina zyrtare siguroi të martën 4,06 miliardë euro, nga shitja e bonove me afat 1-mujor maturimi, me interes 3,95% dhe nga bonot 3-mujore, me interes 4,2%.
Këto para do të shërbejnë për të përballuar këstin e pagimit të një kredie të mëparshme, prej pesë miliardë eurosh, që duhet të paguhet brenda ditës së premte.
Më parë, kryeministri Samaras kishte thënë se pa marrjen e këstit të radhës nga trojka, financat helene do të shteronin deri në datën 15 nëntor.
Për Greqinë, kjo ishte mënyra e vetme për të siguruar fonde të menjëhershme, pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Qendrore Europiane dhe Bashkimi Europian ende nuk kanë vendosur për huanë e radhës, për të cilën fqinji ynë jugor ka nevojë të domosdoshme.
Më parë gjatë javës, ministrat e Eurozonës vendosën të lehtësonin gjendjen e Athinës, duke i dhënë asaj afat dy vite më shumë, deri në vitin 2016, për të realizuar të gjithë reformat e parashikuara.
Për të arritur këtë shtyrje, vendi u detyrua të kalonte në Parlamentin e Greqisë një paketë të re shkurtimesh, që ngjalli protesta të shumta në vend.
Top Channel