Ministrat e financës së Eurozonës u takuan në Bruksel për të diskutuar mbi objektivat e reja ndaj Greqisë, sipas raportimeve të fundit.
Ata shtynë gjithashtu vendimin për të dhënë këstin e fundit prej 31,5 miliardë eurosh, të ndihmës kundër falimentimit. Ata thanë se do të takoheshin sërish për të diskutuar këtë çështje më 20 nëntor.
Greqia ka ngulmuar së tepërmi për këtë këst, pasi arriti të kalonte buxhetin e shkurtuar të 2013-s, ditën e dielë.
Kryeministri grek, Antonis Samaras, ka paralajmëruar se pa këstin e ri, vendi do të mbetet pa parà brenda pak ditëve.
Megjithatë, ministrat e eurozonës thanë se Greqia duhet të implementojë veprimet “e fundit të mbetura” nga prioritetet, në mënyrë që të lejojnë ecjen më tej të këtij proçesi.
Drafti për përshpejtimin e reformave ekonomike greke u përgatit nga e ashtuquajtura “trojka”, e përbërë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Qendrore Europiane dhe Komisioni Europian. Këta u kanë premtuar 240 miliardë euro kredi shpëtimi ndaj Greqisë.
Shtyrja me 2 vite do t’i japë Greqisë kohën e duhur për të arritur një sufiçit primar buxhetor, një shifër e cila nuk përfshin kostot e financimit të borxhit.
Në deklaratë thuhej: “Programi ynë i rishikuar fiskal synon një sufiçit primar prej 4,5% të GDP-së, brenda vitit 2016, që nënkupton 2 vite më vonë nga sa ishte parashikuar. Kjo rrugë do të ndihmojë në moderimin e ndikimit të rregullimeve fiskale në ekonomi”.
Kjo shtyrje do të kushtojë 32,6 miliardë euro të tjera, gjë që përmban një risk “tepër të madh” sipas raportimeve.
Top Channel