FBI, kërkime në shtëpinë e biografes së Petraeus

13/11/2012 05:37

Zëdhënësi i FBI-së, Shelley Lynch, ka konfirmuar për BBC gjatë orëve të natës, se agjentët kanë qenë në shtëpinë e Paula Broadwell, në Charlotte, North Carolina.

Zëdhënësi nuk bëri të ditur se çfarë bënë agjentët në shtëpinë e gruas së martuar, nënë e dy fëmijëve.

David Petraeus pranoi se lidhja e tij ishte “një gabim kolosal”. Zëdhënësi i FBI-së tha për BBC se agjentët shkuan në shtëpinë e Broadwell vetëm pak orës 21:00 (lokale, 03:00 për Shqipërinë).

Petraeus dha dorëheqjen si kreu i CIA-s gjatë javës së kaluar, menjëherë pasi në lajme u publikua lidhje e tij jashtë martesore me biografen.

Marrëdhënia u zbulua, pasi një grua e dytë, Jill Kelley, 37 vjeç, i tha FBI-së se kishte marrë e-mail-e anonime kërcënuese.

Një hetim i FBI-së gjeti mesazhet, që kishin ardhur nga zonja Broadwell, dhe më tej zbuloi lidhjen e 40-vjeçares me Petraeus.

Nuk ka asnjë sugjerim se zonja Kelley, e martuar nga Tampa, Florida, kishte ndonjë lidhje me Petraeus.

Në një deklaratë, ajo dhe burri i saj pranuan shoqërinë e tyre me Petraeus dhe kërkuan t’u ruhej privatësia.

Koloneli i dalë në pension, Steve Boylan, kishte thënë më herët për ABC News se gruaja e Petraeus, 38 vjeçarja Holly, nuk mund të “ishte e kënaqur”, pas lajmit të lidhjes me Broadwell-in.

“E irrituar mund të jetë diçka me nënvlerësim”, tha koloneli Boylan. “Ky ishte një gjykim i dobët nga ana e tij. Ishte një gabim kolosal, ai e di këtë dhe e ka pranuar”. Më pas shtoi: “Ata janë një familje e fortë. Do ta kalojnë këtë situatë”.

Kolonel Boylan tha se lidhja e Petraeus me Broadwell nisi pas tërheqjes së gjeneralit me 4 yje nga ushtria dhe rreth 2 muaj pasi u bë drejtor i CIA-s. Ai tha gjithashtu, se lidhja kishte përfunduar rreth 4 muaj më parë.

Petraeus u bashkua me CIA-n në shtator 2011, pasi kishte udhëhequr forcat ndërkombëtare në Irak e më pas në Afganistan.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA