Çmontohet varri i Yasser Arafat

13/11/2012 00:00

Punëtorët kanë çmontuar varrin e ish-liderit palestinez Yasser Arafat në Ramallah, në përgatitje për zhvarrimin e mundshëm të trupit të tij.

Autoritetet planifikojnë të nxjerrin mbetjet trupore në javët e ardhshme, në mënyrë që mjekët ligjorë të sigurojnë se vdekja e tij në vitin 2004 në Paris ishte shkaktuar nga helmimi.

Franca nisi një hetim për vrasje në gusht pasi ekspertët zviceranë gjetën lëndë radioaktive polonium 210 në sendet personale të liderit palestinez.

Dosja mjekësore e Arfat thotë se ai kishte pasur një goditje si pasojë e çrregullimit të qarkullimit të gjakut. E veja e tij, Suha, kundërshtoi zhvarrosjen më herët, por tani ka apeluar tek Autoriteti Palestinez për ta lejuar atë, me qëllim zbardhjen e së vërtetës.

Trupi i Arafat prehet në një mauzoleum prej guri brenda kompleksit presidencial Mukata, në Ramallah. Tani gjithë mauzoleumi është rrethuar nga skela dhe letër katramat për të ndaluar vështrimin nga larg. Edhe rrugët që të çojnë tek kompleksi janë bllokuar gjithashtu, raporton korrespondenti i BBC.

Një burim i afërt me familjen Arafat tha për agjencinë e lajmeve “AFP” se punëtorët kanë filluar të lëvizin gurë të shumtë nga mauzoleumi.

“Ka faza të ndryshme. Fillohet me heqjen e gurëve dhe prerjen e hekurave derisa të arrihet toka që mbulon trupin, i cili nuk do të lëvizet pa mbërritjen e prokurorëve francezë, ekspertëve zviceranë dhe hetuesve rusë”, ka thënë burimi.

Për momentin nuk është caktuar ende një datë për zhvarrosjen, por burimi i sipërpërmendur ka saktësuar se punët parapërgatitore do të zgjasin të paktën 15 ditë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB