Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga përfaqësuesi special i BE-së, Samuel Zhbogar dhe drejtues të institucioneve të drejtësisë, kanë inspektuar punimet në Pallatin e Drejtësisë.

Në këtë kompleks ndërtesash, i cili bashkëfinancohet nga qeveria e Kosovës dhe Komisioni Europian, do të vendosen institucionet e drejtësisë kosovare.

Nga aty shefi i qeverisë së Kosovës tha se ky do të jetë ndër objektet më të mira në rajon dhe do të krijojë hapësirën e nevojshme për punë.

“Do të vazhdojmë me reformat në sistemin e drejtësisë dhe është fat që gjithë legjislacionin ne e nxjerrim në përputhje me standartet evropiane. Prandaj, edhe objekti do të jetë i modelit dhe standarteve evropiane dhe kam besim të plotë që Kosova do të jetë shembull edhe në rajon”, deklaroi Thaçi.

Ndërsa përfaqësuesi i BE-së, Zhbogar u shpreh se sundimi i ligjit për BE-në është i rëndësishëm. “Kjo dëshmon se sundimi i ligjit për Bashkimin Europian është i rëndësishëm, kështu që ne jemi të përfshirë këtu jo vetëm me misionin e EULEX-it dhe projektet që ndërlidhen me sundimin e ligjit, por edhe ndërtimin e infrastrukturës”, theksoi Zhbogar.

Nga ana tjetër, Enver Peçi, kryetar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës u shpreh: “Do të bëjmë përpjekje maksimale që të arrijmë besimin e qytetarëve dhe një sistem gjyqësor me një zhvillim dhe një reformë shumë më të mirë në të ardhmen”.

I pranishëm në këtë eveniment ishte edhe kryeprokurori i Kosovës, Ismet Kabashi. Kosotoja e këtij projekti kap shifrën e 33 milionë eurove.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA