Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka raportuar paraditen e së hënës tek presidentja Atifete Jahjaga në lidhje me takimin e dytë të zhvilluar javën e kaluar me homologun serb Ivica Daçiç.
Sipas një njoftimi për shtyp të qeverisë kosovare, gjatë takimit Thaçi ka thënë se në Bruksel ka ngritur çështjen e personave të pagjetur, duke shprehur angazhimin për zbardhjen e fatit të tyre.
Sipas njoftimit, Thaçi ka thënë gjithashtu se edhe nga pala serbe është shprehur i njëjti përkushtim në lidhje me këtë çështje.
Një tjetër pikë ku Thaçi është ndalur gjatë takimit me kryetaren e shtetit ka qenë ajo për menaxhimin e integruar të kufijve, lidhur me të cilën ka thënë se së shpejti do të nisë zbatimi i marrëveshjes përkatëse në katër pika kufitare.
Nga ana e saj, presidentja Jahjaga ka shprehur mbështetje të plotë për vazhdimin e proçesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, që synon normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ndërkohë, ditën e premte, Thaçi do të raportojë përpara deputetëve në seancën e rregullt parlamentare, mbi takimin e tij dhe kryeministrit të Serbisë.
Takimi i dytë Thaçi-Daçiç, i zhvilluar mbrëmjen e së mërkurës në Bruksel, zgjati rreth dy orë dhe preku disa tema në kuadër të asaj që quhet “normalizimi” i marrëdhënieve mes dy palëve.
Në një deklaratë pas takimit, që ishte në formën e një darke pune, baronesha Ashton renditi pikat për të cilat të dy kryeministrat janë angazhuar për momentin.
“Ne ramë dakort që të vazhdojmë punën për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura. Mirëpritëm rezultatet e grupit të përbashkët për menaxhimin e integruar të kufijve në pikat e kalimit”, nënvizoi kryediplomatja e BE.
Sipas saj, në takim u diskutua edhe mbi transparencën e fondeve që i ofron Serbia serbëve të Kosovës dhe mbi mënyrën se si të rritet mbrojtja e trashëgimisë kulturore e fetare të Serbisë.
“Të dyja palët ranë dakort të ngrenë një grup pune teknik të përbashkët për të përgatitur një studim fizibiliteti për autostradën Nish-Prishtinë. Gjithashtu, ramë dakort të takohemi sërish së shpejti”, shtoi Ashton.
Top Channel