
Një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar të dielën në mbrëmje, rreth orës 22:30, në rrugën “Kolashini”, përkatësisht në afërsi të Lagjes së Doktorëve që ndodhet në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës.
Policia e Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media ka informuar se përveç dëmëve materiale nuk ka pasur të lënduar në njerëz. Nga shpërthimi janë dëmtuar dy automjete dhe janë thyer disa dritare të një ndërtese, e cila është e banuar me qytetarë serbë.
Ekspertët e Policisë së Kosovës, nga njësia e posaçme e eksplozivit, kanë bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe në bazë të vlerësimeve preliminare kanë konstatuar se shpërthimi ka ndodhur nga aktivizimi i një granate, tip “M-75”, prodhim jugosllav.
Po ashtu, Policia e Kosovës njofton se janë duke u zhvilluar hetime intensive për të zbuluar motivet dhe rrethanat e këtij akti kriminal, ndërkohë që autorët e mundshëm nuk janë identifikuar ende.
Sulme të tilla janë kthyer në një fenomen i zakonshëm në Mitrovicë. Javën e kaluar policia e këtij qyteti bëri të ditur se automjeti i një banori shqiptar ishte sulmuar me gurë nga një grup personash në në lagjen Kroi i Vitakut.
Sipas policisë, pronari i automjetit me targa kosovare tha në polici se agresorët i përkisnin një grupi serb të tubuar në lagjen Kroi i Vitakut, duke bllokuar rrugën në shenjë proteste për rindërtimin e shtëpive në këtë lagje.
Sipas këtij personi, ata ia goditën automjetin me gurë dhe sende të forta në kohën kur ishte në lëvizje dhe po kalonte pranë grupit të personave të tubuar. Ngjarja u regjistrua në stacionin policor të veriut, ndërsa hetuesit janë duke u marrë me ndjekjen e hetimeve të këtij rasti.
Në fillim të muajit, dy automjete private, njëra tip “Fiat Tipo”, ngjyrë hiri e pa targa dhe një tjetër tip “Zastava 101”, ngjyrë e verdhë, me targa “KM”, u dogjën si rezultat i një zjarrvënieje të qëllimshme me një substance ndezëse.
Policia e Kosovës njoftoi se rasti kishte ndodhur gjatë orëve të natës, në rrugën “Llolle Ribara” në veri të Mitrovicës. Dëme të mëdha materiale u shkaktuan në të dyja automjetet, ndërsa nuk u raportua për të lënduar në njerëz.
Zyrtarët policorë kontaktuan pronarin e automjetit, një 61-vjeçar i përkatësisë etnike serbe, i cili u mor në pyetje nga hetuesit. Motivet e këtij akti kriminal, si dhe autorët e tij janë ende të panjohur për hetuesit. Policia e Kosovës e regjistroi rastin si vepër penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Top Channel