Nënkryetari i Partisë Demokratike të Serbisë, Sllobodan Samarxhiç ka deklaruar se, me pjesëmarrjen në bisedimet me Prishtinën, Serbia po ngre gradualisht kufijtë me Kosovën.

Numri dy i partisë së drejtuar nga Vojisllav Koshtunica ka vlerësuar se, nëse nuk ndryshohet marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufijve, atëherë mes Serbisë dhe Kosovës do të ngrihen kufijtë.

“Në këtë mënyrë Serbia do të bëjë një hap madhor drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës. Nëse Serbia pranon ngritjen e kufirit në njërën anë të territorit, kjo nënkupton se ana tjetër pranohet si shtet”, ka thënë Samarxhiç, sipas “REL”.

Takimi i dytë Thaçi-Daçiç, i zhvilluar mbrëmjen e së mërkurës në Bruksel, zgjati rreth dy orë dhe preku disa tema në kuadër të asaj që quhet “normalizimi” i marrëdhënieve mes dy palëve.

Në një deklaratë pas takimit, që ishte në formën e një darke pune, baronesha Ashton renditi pikat për të cilat të dy kryeministrat janë angazhuar për momentin.

“Ne ramë dakort që të vazhdojmë punën për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura. Mirëpritëm rezultatet e grupit të përbashkët për menaxhimin e integruar të kufijve në pikat e kalimit”, nënvizoi kryediplomatja e BE.

Sipas saj, në takim u diskutua edhe mbi transparencën e fondeve që i ofron Serbia serbëve të Kosovës dhe mbi mënyrën se si të rritet mbrojtja e trashëgimisë kulturore e fetare të Serbisë.

“Të dyja palët ranë dakort të ngrenë një grup pune teknik të përbashkët për të përgatitur një studim fizibiliteti për autostradën Nish-Prishtinë. Gjithashtu, ramë dakort të takohemi sërish së shpejti”, shtoi Ashton.

Top Channel