
Ligji për veprimtari të huaj informative, i njohur si ligji për korrespodentët e huaj, është miratuar të hënën në Shkup me votat e mazhorancës.
Deputeti i PDSH-së në opozitë, Bekim Fazliu, duke shfrytëzuar të drejtën për ndërhyrje proçedurale kundërshtoi sjelljen e këtij ligji që sipas tij më së shumti dëmton zyrat e mediave nga Tirana dhe Prishtina që funksionojnë në Maqedoni.
Ai po ashtu akuzoi kryetarin e Parlamentit, Trajko Veljanovski për shkeljen e Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, pasi nuk lejoi që Komiteti për marrëdhënie ndëretnike të debatojë për miratimin e këtij ligji.
“Ne kërkuam që para votimit të thirret mbledhja e Komitetit dhe të debatohet nëse ky ligj duhet të votohet me votim të dyfishtë. Kërkesa jonë është që nga leximi i parë. Por ju, edhe pse keni thënë se kërkesa duhet bërë në leximin e dytë, një gjë e tillë nuk u mor parasysh. Ndaj kërkojmë nga ju që të shfuqizohet dhe të shpallet i pavlefshëm votimi për ligjin për veprimtarinë e huaj informative”, deklaroi Fazliu.
Shefi i zyrës së Top Channel në Shkup, Kim Mehmeti thotë se, kur bëhet fjalë për sjelljen e ligjeve që vendosin kontroll ndaj mediave, deputetët e BDI-së dhe VMRO-së gjithnjë bashkojnë votat, pavarëisht dallimeve rreth ligjit për forcat maqedonase të sigurisë dhe akuzave të ndërsjellta për suspendimin e demokracisë në vend.
“Shihet qartë se VMRO dhe BDI për shumçka nuk pajtohen, por kur është në pyetje të mbyllen dritare nga nuk do të shihet e vërteta se çfarë po ndodh në Maqedoni, këtu ekziston pajtueshmëri e plotë. Në këtë kontekst ata mund t’i mbyllin edhe të gjitha korrepsondencat e huaja, posaçërisht ato shqiptare, por nuk do e mbyllin asnjëherë mundësinë që ne shqiptarët e Maqedonisë ta themi të vërtetën ashtu siç është”, thotë Mehmeti.
Sipas këtij ligji, kompetent për akreditimin e korrespnodentëve të huaj do të jetë ministiri i Jashtëm në Shkup. Për të vepruar në Maqedoni një zyrë e një mediaje të huaj, ligji kërkon që dy vendet të kenë marrëveshje bilaterale, pa preçizuar cilës fushë duhet t’i përkasë kjo marrëveshje.
Po ashtu, ligji i jep të drejtë Ministrit të Jashtëm që t’ia marrë akreditimin një korrespondenti të huaj nëse ai nuk i përmbahet normave në fuqi në Maqedoni, pa përcaktuar cilat janë ato norma.
Top Channel