
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi njoftoi se zbatimi i marrëveshjes së menaxhimit të integruar të kufirit me Serbinë do të fillojë në dhjetor të këtij viti në katër pika kufitare, në Jarinjë, Bërnjak, Merdare dhe te Dheu i Bardhë.
Por shefi i qeverisë mohon pretendimet serbe se EULEX do të ketë një rol ekzekutiv në pikat kufitare me Serbinë. Reagimi i Thaçit erdhi pas deklaratave të shefit të zyrës së qeverisë serbe për Kosovën Aleksander Vulin i cili tha se se do të jetë EULEX-i ai që do të garantojë neutralitetin me praninë e zyrtareve të tatimeve dhe jo oficerë dogane.
E përditëshmja e Beogradit “Danas” shkruan se ekziston rreziku që serbët e Kosovës të kundërshtojnë zbatimin e kësaj marrëveshjeje me mjete të ashtuquajtuara demokratike.
“Në fazën e mëvonshme Bashkimi Europian ka rënë dakort që të financojë vendkalimet kufitare për kalimin më të lehtë nëpër zonat neutrale. Në këtë pikë, ajo që lidhet me rolin e drejtpërdrejtë të EULEX është se do të ushtrojë funksionet e tij në përputhje të plotë me mandatin e tij nga Kuvendi i Kosovës në të gjitha pikat kufitare. Pra theksoj se roli i EULEX në pikat kufitare në veri do të jetë i njejtë me atë në jug apo diku tjetër. Pra EULEX-i e ka një mandat dhe atë mandat që ia kemi dhënë nga Kuvendi i Kosovës. Të gjitha të tjerat janë të paqëndueshme”, deklaroi kryeministri Thaçi.
Ndërkaq, siç tha kryeministri qeveria e Kosovës nuk mohon interesimin e Beogradit për komunitetin serb, por kjo duhet të bëhet në mënyrë transparente. Çka do të thotë se fondet e Serbisë për serbët e Kosovës duhet të derdhen fillimisht në buxhetin e Kosovës. Transparenca e fondeve të Serbisë për strukturat e saj në Kosovë, sipas kryeministrit kosovar, është kushti kyç i Serbisë në rrugën drejt BE-së.
Në mbledhjen e qeverisë Thaçi përmendi gjashtë çështje për të cilat është diskutuar në takimin e dytë me kryeministrin serb. E para në radhë ishte zbardhja e fatit të të pagjeturve, ndërsa e fundit sipas radhitjes së kryeministrit, në mbledhje ishte ndërtimi i autostradës që lidh Kosovën me Serbinë.
“Jemi pajtuar që kjo është një çështje humane për zbardhjen e fatit të pagjeturve dhe jemi pajtuar që të inkurajojmë komisionet për të punuar në këtë drejtim. Jam i angazhuar dhe të mos kursej asgjë që fati i të pagjeturve të zgjidhet nga ana e Serbisë njëherë e përgjithmonë. Por vazhdoj të kërkoj nga të gjitha agjencitë shtetërore të Kosovës që të bëjnë përpjekje në këtë drejtim”, tha Thaçi.
Takimi i radhës Thaçi-Daçiç pritet të zhvillohet në muajin dhjetor. Zyrtarët qeveritarë paralajmërojnë zgjerimin delegacionit që do të përfshihet në bisedime. I pyetur nga gazetarët zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se varësisht nga temat që do të trajtohen qeveria është e interesuar të përfshijë njerëz të caktuar nga opozita dhe shoqëria civile.
Top Channel