
Shefi diplomacisë kosovare Enver Hoxhaj është duke zhvilluar një vizitë
zyrtare në Tiranë, nga ku ka marrë vlerësime nga ministri i Punëve të
Jashtme Edmond Panariti për hapat e hedhur nga Kosova gjatë muajve të
fundit.
Kjo vizitë, tha zoti Panariti, merr një kuptim të veçantë, pasi ndodh në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë.
“Ne konstatuam me kënaqësi trendin gjithnjë e në rritje të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve tona dhe që shprehet me një pesëfishim të volumit ekonomik tregtar mes dy vendeve, brenda një periudhe pesëvjeçare. Ne ndamë mendimin, se duke shfrytëzuar sa më shumë dhe me efektivitet infrastrukturën moderne tashmë të zhvilluar në të dy anët e kufirit, mundësi akoma më të mëdha ekzistojnë për të zgjeruar vëllimin e shkëmbimeve tregtare”, tha Panariti.
Ministri Hoxhaj ka kërkuar ndihmën e Shqipërisë në dhënien e ekspertizës, për sa i përket proceseve integruese të Kosovës, veçanërisht në procesin e liberalizimit të vizave që ka nisur Kosova me Bashkimin Evropian.
“Pavarësia e Kosovës i ka dhënë kuptim edhe pavarësisë së Shqipërisë dhe 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Pavarësia e Kosovës nuk do të ndodhte pa një mbështetje të fuqishme të shtetit shqiptar. Biseduam për atë se si Republika e Kosovës ta ketë mbështetjen e Shqipërisë në fushën e integrimeve evropiane, një fushë në të cilën Shqipëria ka përvojë.Unë dua ta falenderoj mikun tim Panariti për mbështetjen e tij të fuqishme në rritjen e numrit të njohjeve të Kosovës. Sot biseduam se si mund ta kemi mbështetjen e shtetit shqiptar, sa i takon anëtraësimit të Kosovës në organizata të ndryshme evropiane dhe globale”, tha Hoxhaj.
Zoti Hoxhaj tha se bisedimet me Serbinë janë duke u zhvilluar në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe një Rezolute të miratuar nga Parlamenti. Ministri Enver Hoxhaj shprehu shqetësimin në lidhje me gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Ne jemi të shqetësuar si Qeveri e Republikës së Kosovës për pozitën diskriminuese që kanë shqiptarët në Luginën e Preshevës. Jemi po ashtu të shqetësuar që Beogradi vazhdon të ndjekë një politikë të frymës dhe të kohës së Milleshoviçit ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe është detyrim i shtetit të Kosovës që ta mbështesë dhe ta promovojë integrimin të të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë në rajon”, tha Hoxhaj.
Top Channel