Ministrat e Financave të Eurozonës do të takohen në Bruksel për të diskutuar mbi mundësinë e akordimit të fondeve të reja Greqisë, për të shmangur një falimentim të mundshëm.

Takimi përkoi me të njëjtën ditë kur ligjvënësit grekë miratuan shkurtime të mëtejshme buxhetore, të cilat duhet të shoqërohen me dhënien e këstit të radhës të një huaje madhore të akorduar më parë.

Megjithatë, pavarësisht masave të mara nga Athina zyrtare, ekziston akoma paqartësi nëse vendi do të arrijë të shmangë falimentimin.

Nga ana e tij, shefi i Eurozonës, njekohesisht kryeminister i Luksemburgut, Jean-Claude Juncker, deklaroi se “nuk do të ketë një vendim përfundimtar” në takimin e së hënës.

Ministrat e vendeve të Eurozonës duhet të aprovojnë dhënien e 31,5 miliardë eurove, si pjesë e paketës prej 130 miliardë eurosh, që është vendosur më parë për të mundësuar rimëkëmbjen ekonomike të fqinjit tonë jugor.

Më parë, kryeministri i Greqisë, Antonis Samaras, ka paralajmëruar se pa një hua të re vendit mund t’i shterojnë paratë dhe të shpallë falimentimin brenda disa ditëve.

Pavarësisht shkurtimeve të njëpasnjëshme, ekonomia greke pritet të tkurret me 4,5% deri në fund të vitit dhe të vazhdojë recesionin për të pestin vit radhazi në 2013-n.

Nëse huaja e re do të miratohet, borxhi kombëtar do të rritet në 189% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA