Siri, një i krishter në krye të opozitës

10/11/2012 00:00

Këshilli Kombëtar Sirian ka zgjedhur një të krishter si liderin e tij, pas bisedimeve të zhvilluara në Katar.

George Sabra, një ish-komunist, deklaroi se zgjedhja e tij tregon se KKS nuk është një grup sektar dhe kërkoi më shumë armë për të rrëzuar presidentin Assad.

“Për të ndaluar gjakderdhjen dhe për të ndihmuar sirianët që të rrëzojnë këtë regjim gjakatar na furnizoni me armë”, deklaroi Sabra, duke iu drejtuar komunitetit ndërkombëtar.

KKS po diskutonte për një plan për t’u bashkuar me grupet e tjera për të formuar bllokun anti-Assad, por dështoi dhe për pasojë do të takohet sërish ditën e shtunë.

SHBA dhe vendet e Gjirit, të cilat themeluan KKS-në, kërkojnë bashkimin e njësive të ndryshme të kryengritësve sirianë. KKS duhet ta merrte vendimin të premten, por përplasjet e brendshme e detyruan të kërkonte 24 orë shtesë.

Propozimi për një grup të unifikuar, i quajtur Iniciativa Kombëtare Siriane, synon të bashkojë fraksionet ushtarake dhe politike për të formuar një alternativë të besueshme kundrejt qeverisë së Assad.

Aktivistët dhe vëzhguesit vlerësuan se mbi 36 mijë persona janë vrarë në protestat e zhvilluara kundër regjimit të tij. Ditën e premte, OKB deklaroi se 11 mijë sirianë kishin kaluar kufirin në 24 orët e fundit.

Sipas mediave turke, shumica e personave që janë larguar nga vendi i tyre për në Turqi kanë qenë dezertorë të ushtrisë siriane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA