Siri, militantët kurdë përfshihen në konflikt

10/11/2012 00:00

Nga konflikti i brendshëm sirian kanë përfituar militantët e armatosur kurdë të cilët kanë marrë nën kontroll së fundmi dy qytetet veri-lindore të vendit.

Sic njofton Observatori sirian për të drejtat e njeriut me seli në Londër, kurdët e armatosur morën kontrollin në Al Dirbasiya dhe Tel Nemer pas tërheqjes së forcave qeveritare në respektim të bisedimeve me opozitën e armatosur.

Në këto dy qytete jeton një komunitet i konsiderueshëm i etnisë kurde, e ndarë mes Irakut, Iranit dhe Sirisë. Lëvizjet separatiste të kurdëve vijojnë prej vitesh dhe më aktive së fundmi kanë qenë në Turqi.

Ndërkohë, të premten rebelët morën kontrollin e një qytetit pranë Ras al Ein nga ku kontrollojnë një pikë-kalim kufitar drejt Turqisë. Në zonë u raportuan luftime të ashpra mes forcave besnike të regjimit dhe opozitës së armatosur, ndërsa pasojët e këtyre përleshjeve konsiderohen katastrofike.

Mbi 32 mijë persona mendohet se kanë humbur jetën dhe mijëra të tjerë janë zhvendosur që nga nisja e konfliktit të brendshëm në Siri. 120 mijë refugjatë sirianë të luftës janë vendosur vetëm në Turqi, ndërsa shumë prej tyre kanë kapërcyer kufirin me Jordaninë dhe të tjerë janë në lëvizje brenda vendit.

Në një intervistë për televizionin rus RT, presidenti sirian, Bashar al Assad shprehu vendosmërinë për të vijuar betejën, sipas tij, në mbrojtje të Sirisë dhe popullit sirian. Ai tha se do të mposhtë “terroristët e financuar nga vendet perëndimore dhe Turqia” dhe mohoi kategorikisht largimin nga vendi duke thënë: Unë jam sirian! Këtu kam lindur, këtu jam rritur, shtëpia ime është këtu dhe këtu do të vdes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB