Profesori i Universitetit John Hopkins, Daniel Serwer ka deklaruar se
Ballkani nuk është në prioritetet e politikës së jashtme të
Uashingtonit.

Duke folur në një konferencë ndërkombëtare, Serwer tha se, dialogu Kosovë-Serbi duhet të shërbejë për njohjen reciproke të dy vendeve dhe jo vetëm për normalizimin e raporteve.

“Kur evropianët dhe amerikanët flasin privatisht, ata duhet ta kenë të qartë se dialogu nuk është vetëm sa për dialog, por është për shumë më tepër. Është për njohje reciproke dhe vendosje të marrëdhënieve diplomatike“, theksoi Serwer.

Sipas “RTK”, duke folur për zhvillimet në veri, analisti i çështjeve të Ballkanit vlerësoi se NATO nuk ka vullnetin dhe mundësitë për të vepruar në këtë zonë.

Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare mund të dërgojë sinjale të gabuara tek banorët në veri, pasi nuk po vepron në të njëjtën mënyrë si në fushën diplomatike dhe në atë ushtarake.

“NATO në veri nuk është aq i pafuqishëm sa EUFOR-i në Bosnje, por nuk ka vullnet dhe mundësi për të zgjidhur çështjet e nevojshme. Kjo, sepse amerikanët dhe të tjerët duan t’i tërheqin trupat e tyre nga Kosova pa njohje dhe pa marrëdhënie diplomatike”, nënvizoi Serwer.

“Përgjegjësia për mbrojten e integritetit territorial të Kosovës me tërheqjen e KFOR-it bie mbi institucionet e Kosovës, të cilat nuk e kanë momentalisht dhe as për të paktën pesë vjet një mundësi të tillë”, theksoi ai.

Duke folur për mosnjohjen e Kosovës nga pesë vendet evropiane, Serwer tha se 22 vendet tjera të BE-së duhet të bëjnë presion mbi vetë ato shtete.

“Mbizotërimi i ligjit, mbrojtja e pakicave dhe e gruas duhet të jenë po ashtu prioritet për Kosovën si vend në tranzicion”, shtoi më tej profesori i John Hopkins.

Top Channel