
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Ulrike Lunacek tha se Bashkimit Europian nuk i duhet një tjetër Qipro dhe se Serbia duhet të njohë më parë Kosovën për t’u anëtarësuar në Union.
Në një intervistë për Radion Europa e Lirë, euro-parlamentarja austriake këmbënguli se vendet anëtare të BE-së nuk duhet të tolerojnë Serbinë në këtë aspekt.
“Jam e bindur që Serbia nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Europian pa njohur më parë pavarësinë e Kosovës. Bashkimi Europian nuk mund të tolerojë që të marrë në gjirin e tij një tjetër Qipro, nuk do të pranojë asnjë vend që të anëtarësohet pa u përcaktuar më parë kufijtë e atij shteti”, tha Lunacek.
Deklarata e euro-parlamentares austriake është në vazhdën e deklaratave të disa zyrtarëve të BE-së që i kërkojnë Serbisë të njohë shtetin e Kosovës për t’u anëtarësuar në BE. Megjithatë, politikanët serbë janë të bindur se anëtarësimi i tyre në Union nuk varet nga raporti mes Beogradit dhe Prishtinës.
Top Channel