Iraku anulon paktin e armëve me Rusinë

10/11/2012 00:00

Iraku ka anuluar një marrëveshje prej 4.2 miliardë dollarësh për të
blerë armë nga Rusia për shkak të shqetësimeve për korrupsion, ka bërë
të ditur një zyrtar i qeverisë lokale.

Kryeministri iraken Nouri al Maliki ka urdhëruar nisjen e një hetimi të marrëveshjes, ka thënë zëdhënësi i tij për rrjetin informativ britanik, BBC.

Kontrata, në të cilën përfshiheshin helikopterë ushtarakë dhe raketa, u firmos muajin e kaluar. Iraku është duke reformuar forcat e armatosura që nga përfundimi i operacioneve ushtarake të trupave të SHBA kundër rebelëve.

Duke njoftuar anulimin e kontratës ditën e shtunë, zëdhënësi i Al Malikit tha se, “kur kryeministri u kthye nga vizita e tij në Rusi, ai pati dyshime për korrupsion, kështu që vendosi të rishikojë të gjithë marrëveshjen. Në këtë kuadër është hapur një hetim”.

Kontrata do ta kishte bërë Moskën, furnizuesi kryesor me armë i Irakut në kohën e Saddam Hussein, furnizuesin e dytë të armatimeve të vendit pas Shteteve të Bashkuara.

Nga Moska nuk ka pasur ende një koment mbi vendimin për anulimin e kontratës. Në tetor, zoti Al Maliki tha në një deklaratë se, “nuk dëshironte që Iraku të bëhej pjesë e monopolit të dikujt tjetër të armëve”.

Por ai u përball me kritika nga rivalët politikë që vunë në dyshim blerjen e armëve nga Rusia, në një kohë kur ishin firmosur një seri marrëveshjesh me Shtetet e Bashkuara.

Një deputet iraken sugjeroi se operacionet kundër terrorizmit, në kuadër të të cilave do të bliheshin armët, kërkonin përmirësimin e shërbimeve të inteligjencës dhe jo helikopterë luftarakë dhe raketa.

Shpallja e marrëveshjes u bë më datë 9 tetor pas bisedimeve të mbajtura në Moskë mes kryeministrave të dy vendeve, Nouri al Maliki dhe Dmitry Medvedev.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB