Mijëra punonjës të sektorit publik në Greqi u mblodhën të shtunën para godinës së parlamentit vendas për të kundërshtuar masat e reja anti-krizë të miratura tashmë në Kuvend.

Kjo kategori e punonjësve shihet si më e goditura nga reformat e qeverisë së kryeministri Samaras, ku përvec uljes së pagave dhe rritjes së taksave, parashikohen edhe shkurtime drastike punonjësish në disa sektorë publikë.

Këto janë ndër kërkesat e Trojkës për të lëvruar këstin e radhës të huasë që do të shpëtonte arkat e shtetit grek. E përjavëshmja gjermane, Der Spiegel shkruan se huadhënësit ndërkombëtarë, FMN, BE dhe BQE kërkojnë hapa konkrete nga Athina dhe si kusht për dhënien e ndihmës së radhës, kërkojnë një listë me 2 mijë emra nga punonjësit publikë që do të shkarkohen nga detyra brenda këtij viti.

Parlamenti grek mes debatesh të ashpra po diskuton buxhetin e vitit 2013, ndërsa dy ditë më parë me 153 vota pro miratoi pakon e re të shkurtimeve në një seancë maratonë që u shoqërua me protesta dhe përleshje mes manifestuesve dhe policisë në rrugët e Athinës.

Top Channel