Një numër i vogël i serbëve të veriut të Mitrovicës kanë protestuar gjatë së premtes, në afërsi të urës kryesore mbi lumin Ibër, nga ku kanë akuzuar drejtues të shtetit të Serbisë.

Ata protestuan kundër arrestimit të Sllavolub Joviç, që sipas Policisë së Kosovës është rrëmbyer nga autoritetet e Beogradit në pjesën veriore të Kosovës.

Joviç, i cili njihet si lider i të ashtuquajturave “Rojat e Urës”, i është caktuar masa prej 30 ditësh paraburgim në Serbi. Sipas Marko Jakshiç, kryetar i Këshillit nacional serb, arrestimet po bëhen për ta dobësuar rezistencën e tyre.

“Për krijimin e kufijve të rinj, të cilët po krijohen tani nëpërmjet bisedimeve, ne nuk kemi kë tjetër të akuzojmë përveç presidentit të Serbisë, Tomoisllav Nikoliç”, ka thënë Jakshiç, duke shtuar se e tërë kjo quhet “tradhëti”.

Ndërkohë, sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për Mitrovicën, Besim Hoti, gjatë protestës nuk është raportuar ndonjë incident.

Gjatë tubimit u dëgjuan edhe këngë nacionaliste, ndërsa mbi urën kryesore të lumit Ibër pati edhe prezencë të shtuar të të forcave të sigurisë, Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it.

Një ditë më parë komandanti i trupave paqeruajtëse, Volker Halbauer deklaroi se KFOR nuk kishte informacion nëse Sllavoljub Joviç është rrëmbyer apo jo nga strukturat serbe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA