Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i ka drejuar sot një shkresë zyrtare kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe kryesisë së këtij institucioni.
Thaçi ka shprehur gatishmërinë që të raportojë para Kuvendit lidhur me takimin e dytë të zhvilluar në Bruksel me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç, të ndërmjetësuar nga shefja e Politikës së Jashtme të BE, baronesha Catherine Ashton.
Në letrën e tij, Thaçi është shprehur se e bazon gatishmërinë e tij në Kushtetutën e Kosovës, përgjegjësitë e tij si kryetar qeverie dhe tek rezoluta e miratuar më herët nga Parlamenti për bisedimet me Serbinë.
Takimi i dytë Thaçi-Daçiç, i zhvilluar mbrëmjen e së mërkurës në Bruksel, zgjati rreth dy orë dhe preku disa tema në kuadër të asaj që quhet “normalizimi” i marrëdhënieve mes dy palëve.
Në një deklaratë pas takimit, që ishte në formën e një darke pune, baronesha Ashton renditi pikat për të cilat të dy kryeministrat janë angazhuar për momentin.
“Diskutimet tona të hapura dhe të sinqerta këtë mbrëmje u sollën rreth aspekteve të ndryshme të normalizimit të marrëdhënieve mes dy palëve dhe të dy kryeministrat u angazhuan për vijimin e këtyre bisedimeve”, deklaroi Ashton.
“Ne ramë dakort që të vazhdojmë punën për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura. Mirëpritëm rezultatet e grupit të përbashkët për menaxhimin e integruar të kufijve në pikat e kalimit”, nënvizoi kryediplomatja e BE.
Sipas saj, në takim u diskutua edhe mbi transparencën e fondeve që i ofron Serbia serbëve të Kosovës dhe mbi mënyrën se si të rritet mbrojtja e trashëgimisë kulturore e fetare të Serbisë.
“Të dyja palët ranë dakort të ngrenë një grup pune teknik të përbashkët për të përgatitur një studim fizibiliteti për autostradën Nish-Prishtinë. Gjithashtu, ramë dakort të takohemi sërish së shpejti”, shtoi Ashton.
Top Channel