Rusi, Putin shkarkon kreun e ushtrisë

09/11/2012 15:55

Presidenti rus Vladimir Putin ka shkarkuar kreun e forcave të armatosura të vendit, tre ditë pasi bëri të njëjtën gjë me ministrin e Mbrojtjes, i akuzuar për korrupsion.

Gjenerali Valery Gerasimov do të zëvendësojë gjeneralin Nikolai Makarov si shefi i ri i shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura.

Shkarkimi i kryeushtarakut vjen në një moment kur autoritetet ruse po hetojnë shitjen e aseteve të Ministrisë së Mbrojtjes nën vlerën reale të tregut.

Ditën e martë presidenti Putin shkarkoi ministrin Anatoly Serdyukov, duke e zëvendësuar me ish-ministrin e Emergjencave dhe aleatin besnik të tij, Sergei Shoigu.

Shoigu prezantoi gjeneralin Gerasimov tek prezidenti Putin në selinë e Kremlinit gjatë ditës së premte dhe e përshkroi atë si “një ushtarak që nga rrënjët e flokëve”.

Në bisedën e tyre, të raportuar në faqen zyrtare të Kremlinit, zoti Shoigu tha se gjenerali ka një eksperiencë kolosale si në shtabin e përgjithshëm, ashtu edhe në terren për shkak të pjesëmarrjes në shumë beteja.

Gjenerali Gerasimov ka qenë zëvendës i gjeneralit Makarov për 18 muaj, nga viti 2010 në 2012. Së fundmi ai ka shërbyer si komandant i Rajonit Qendror Ushtarak të Rusisë.

Mediat ruse raportojnë se ai ka shërbyer edhe si komandant në Rajonin Ushtarak të Kaukazit Verior në vitet 1998-2003, gjatë ofensivës së Rusisë kundër rebelëve separatistë në Çeçeni.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA