Opozita shqiptare në Shkup ka kundërshtuar ashpër projektligjin për korespodentët e huaj në Maqedoni qe pritet të miratohet të hënën pa debat.

Përmes këtij ligji sipas deputetëve opozitar, qeveria tenton t’i vendosë nën kontroll ose t’i mbyll zyrat e mediave të Tiranës dhe Prishtinës që funksionojnë në Maqedoni.

“Është e papranushme për ne që kompetent për akreditim të jetë MPJ. Vëretja e dytë është se institucionet e huaja informative në Maqedoni mund të themelohen vetëm në bazë të marrëveshjes së nënshkruar bilaterale mes Maqedonisë dhe vendin të huaj përkatës. Shtrohet pyetja a ka të nënshkruar në sferën informative mes Shqipërisë dhe Maqedonisë apo Kosovës? Vërejtja tjetër është akreditimi që jep MPJ në periudhë në një vit dhe vazhdohet pas cdo viti, mendojmë se kjo dispozitë është presion ndaj mediave”, thotë Izet Zeqiri, deputet i RDK-së.

“Kjo qeveri tenton të kontrollojë edhe mediat jashtë kufirit të Maqedonisë. Gruevski i mësuar me kokëuljen dhe nënshtrimin e Ali Ahmetiti mendon se mund të nënshtrojë gjithcka shqiptare edhe Top Channel, i cili ka ngel dritare e vetme për informimin objektiv për shqiptarët e Maqedonisë”, tha Merale Ferati, deputete e PDSH-së.

Por deputetetët e mazhorancës kundërshtojnë akuzat e opozitës lidhur me ligjin e ri për korrespodentët e huaj, duke thënë se në të janë përfshirë edhe vëretjet e opozitës.

“Së paku BDI asnjëherë nuk ka pas qasje kufizuese apo restriktive ndaj ekzistencës s lirë dhe demokratik të mediave. Cdo herë kemi ndërtuar një raport, konstruktiv, objektiv dhe korrekt me mediat, qoftë me mediat e vendit apo korespondentet e jashtme. Sic e dini edhe ky ligj është pjesë e pakos së agjendës europiane të vendit”, u përgjigj Ermira Mehmeti, deputete e BDI-së.

Ligji për korespondentët e huaj është hartuar nga Ministria e Drejtësisë, që drejtohet nga Blerim Bexheti, anëtar i BDI-së. Opozita shpreh habinë se si ky ministër shqiptar propozon ligje që kanë për qëllim dëbimin e mediave nga Tirana dhe Prishtina që gjithnjë e më shumë po shtojnë interesin për shqiptarët e Maqedonisë.

Top Channel