Qeveria e Kosovës dhe misioni europian për sundimin e ligjit, EULEX, kanë lidhur një marrëveshje të re për sundimin e ligjit.
E titulluar “Marrëveshja Kompakte”, ajo përcakton objektiva të përbashkëta në fushën e sundimit të ligjit për qeverinë e Kosovës, zyrën e BE-së në Prishtinë dhe EULEX-in.
“Marrëveshja Kompakte është një sinjal i fuqishëm për publikun e Kosovës se qeveria dhe institucionet e tyre janë të përkushtuara ndaj përparimit të sundimit të ligjit dhe tregojnë qasjen e tyre të vendosur drejt përafrimit me Bashkimin Evropian”, deklaroi shefi i misionit, Xavier Bout de Marnhac.
Ndërsa për qeverinë e Kosovës kjo marrëveshje pasqyron ambicjet e saj dhe të EULEX-it duke ofruar veprime konkrete që duhet të ndërmerren në komponentat e misionit evropian për zhvillimin e kapaciteteve.
“Besoj se ky dokument do të jetë një udhëzim i fuqishëm drejt fuqizimit të institucioneve tona, si dhe do të paraqesë gatishmërinë e tyre për marrjen e kompetencave për administrimin e përgjithshëm të drejtesise”, tha zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.
Kjo marrëveshje u nënshkrua menjëherë pas takimit të bordit të përbashkët bashkërendues për sundimin e ligjit në selinë e EULEX-it në Prishtinë.
Ajo vjen pak ditë pasi Gjykata Europiane e Auditit nxorri një raport ku kritikonte EULEX-in dhe qeverinë e Kosovës për punë të dobët në forcimin e rendit dhe ligjit.
Top Channel