Clinton largohet në janar, Kerry pasuesi?

09/11/2012 13:20

Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, do të dorëhiqet vetëm disa ditë pasi Presidenti Barack Obama të marrë zyrtarisht mandatin e tij të dytë në janar.

Largimi i ish-Zonjës së Parë nga administrata e Obamës besohet se motivohet nga dëshira e saj për të garuar si kandidatja demokrate për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2016, kur do të jetë në moshën 69-vjerçare.

Ndërkohë, përsa i përket listës së kandidatëve të mundshëm për të trashëguar postin e Sekretarit të Shtetit, senatori John Kerry duket se është i parapëlqyeri.

I njohur si kandidati presidencial i demokratëve në zgjedhjet e vitit 2004 (të humbura përballë George W. Bush), senatori i Masaçusetsit dhe kryetari i Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Kerry konsiderohet si një prej figurave me më shumë ndikim brenda demokratëve amerikanë.

Sipas “Daily Mail”, Kerry vlerësohet më shumë se kandidatura tjetër, Susan Rice, ambasadorja amerikane në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Ajo që penalizon Rice duket se janë deklaratat që pasuan vrasjen e ambasadorit Stevens në Benghazi, kur ambasadorja mbrojti pistën e “vrasjes gjatë një tubimi spontan”, duke përjashtuar mundësinë e sulmit terrorist.

Lista e kandidatëve për pozicionin e Sekretarit të Shtetit përfshin edhe Tom Donilon, ish-këshilltar i Sigurisë Kombëtare, David Petraeus, drejtori i CIA-s, Chuck Hagel, një veteran i Vietnamit dhe ish-senator republikan apo William Burns, me profesion gazetar, aktualisht ndihmësi i Hillary Clinton.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA