Mijëra persona të shtetësive të ndryshme të ballkanit, kryesisht shqiptarë apo maqedonas, po humbin lejeqëndrimin dhe shtetësinë në vendet e ndryshme të Bashkimit Europian për shkak të deklarimit të rremë si shtetas kosovarë.

Pas verifikimeve që po bëjnë autoritetet kosovare me kërkesë të shumë vendeve të BE-së, këta persona po kthehen në vendet e tyre, raportoi të enjten “Telegrafi”.

Vendet e BE-së dhe të tjera po vazhdojnë t’u dërgojnë autoriteteve në Kosovë lista azilkërkuesish kosovarë për të vërtetuar shtetësinë e tyre, ndërsa procesi i verifikimit që po bëjnë autoritetet në terren ka rezultuar deri më tani me mijëra shtetas ”të rremë” të Kosovës.

Këta persona, për të fituar në shumicën e rasteve statusin e azilit politik janë deklaruar si kosovarë të ikur nga lufta, në vitet 1998-99.

Blerim Camaj shef i Agjencisë së Regjistrimit Civil të Kosovës, ka thënë se mijëra verifikimeve kanë rezultuar me deklarime të rreme.

”Ato shtete ku është kërkuar azil, kanë kërkuar përmes ambasadave të tyre verifikimin. Ne kemi dalë në terren dhe kemi verifikuar. Fatkeqësisht ka rezultuar se shumë prej azilantëve janë shtetas të Shqipërisë, Maqedonisë apo Serbisë”, deklaroi Camaj në “RTK”.

Sipas Camajt, shumica e këtyre personave po i kthejnë në vendet e tyre, pavarësisht statusit të tyre të rregulluar.

Autoritet kosovare kanë konfirmuar numrin prej 11 mijë kërkesash për verifikim. Por, nuk kanë raportuar një numër të saktë të personave që kanë rezultuar të kenë shtetësi të rreme.

Kthimin e rreth 2 700 personave e kanë konfirmuar zyrtarët e emigracionit nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë. Ndërsa, nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë jepet shifra për 600 riatdhesime.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA