“Fondet e festës për fushatën e PD-së”

08/11/2012 00:00

Deputeti socialist Taulant Balla deklaroi në parlament se fondi prej 1.6 miliardë lekë që qeveria ka akorduar për 100-vjetorin e Pavarësisë po shkojnë për blerjen e pajisjeve që PD do të përdorë për fushatë elektorale.

“Po blihen pajisje që do të përdoren për ahengun e Saliut pas gjashtë muajsh në fushatë sepse kompanitë që janë kualifikuar për të fituar edhe këtë tender, është kompania e Flamur Nokës, kompania e klanit dhe kompania e kunatit të Lul Bashës. Këto të treja do t’i marrin si kanë marrë edhe paratë e flamujve. Sali Berisha me këta palo-ministra po na fyen 100-vjetorin e Pavarësisë”, deklaroi deputeti socialist, Taulant Balla.

Balla i shtoi akuzës se abuzimit me fondet e 100-vjetorit të Pavarësisë edhe atë për anulimin e tenderit për flamujt. Sipas deputetit socialist  tenderi për zbukurimin e objekteve zyrtare  me flamuj në të gjithë vendin është anuluar dhe 9 milion lekët e akorduar nuk dihet se ku kanë shkuar.

Por Aldo Bumçi nuk dha sqarime për fondin 1.6 miliardë lekëve të përmendura nga Balla, pasi sipas tij Ministria që ai drejton ka kryer vetëm dy procedura tenderimi.

“E para ka të bëjë me banerat. Fondi limit ka qenë 18 milion lekë të reja, në konkurim kanë hyrë 6 firma është fituar me rreth 9 milion lekë të reja, pra 50 përqind ulje. Procedura e dytë që ka ushtruar Ministria e Kulturës, me një fond limit prej 6 milion lekësh të reja për prodhimin e 50 mijë spilave që përmbajnë logon e 100-vjetorit. Qeveria e Shqipërisë i ka akorduar Bashkisë Tiranë një fond prej 15 milion lekësh të reja për dekorimin e Tiranës. Qeveria e Shqipërisë i ka akorduar bashkisë së Vlorës një fond prej 39 milion lekësh të reja për rikonceptimin e sheshit të Flamurit dhe qeveria shqiptare i është përgjigjur menjëherë projektit të bashkisë”, tha ministri Bumçi.

Por deputeti Balla u kundërpërgjigj: “Sa për Vlorën e gjithë Shqipëria e di që s’i keni dhënë asnjë lek, por i morët edhe ato që kishte. Kemi ardhur të dy në këtë parlament në të njëjtën kohë, por që ti Aldo do të bëheshe hajdut nuk më kishte shkuar ndërmend”.

Top Channel