Familjarët e viktimave: Amnistia për të akuzuarit e Gërdecit

08/11/2012 00:00

Amnistia për festat e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, projekt i
hartuar nga qeveria, mund të prekë të akuzuarit si shkaktarë të
tragjedisë së Gërdecit. Madje, edhe akuza për të cilën Fatmir Mediu
është në proces me të gjymtuarit e 15 marsit 2008, plagosje e lehtë me
dashje, është ndër veprat penale që preken nga amnistia.

Mësohet se disa dënime të lehta nuk janë përfshirë në amnisti, ndërkohë disa akuza të rënda, të cilat për çudi përkojnë me akuzat ndaj atyre që bënë Gërdecin, do të amnistohen. Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Gërdecit i është drejtuar me një peticion Kuvendit, për të vlerësuar me kujdes këtë amnisti.

“Në draftin e kësaj amnistie shohim se autorët tregojnë qartë se nuk kanë mësuar asgjë nga tragjedia e Gërdecit. Amnistia nga njëra anë ka përfshirë shumë ulje dënimesh, por nga ana tjetër ka përjashtuar disa krime të rënda, autorët e të cilëve nuk do përfitojnë asnjë ulje. Mirëpo këtu nuk janë përjashtuar edhe nenet 282 dhe 289 të Kodit Penal që përkthehen në “Shkelje të rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, dhe “Shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Këto janë dy veprat penale kryesore që sipas gjykatës janë konsumuar nga të pandehurit kryesorë të Gërdecit. Po kështu janë harruar të përjashtohen nga amnistia edhe neni 161 “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, apo dhe neni 70/2 i Kodit Penal Ushtarak që bën fjalë për “Shpërdorimin e detyrës nga personeli ushtarak’”, thuhet në njoftimin e tyre. “Nëse procesi në Gjykatën e Apelit Tiranë përfundon deri më 28 nëntor 2012, amnistia do të ulë shumë vjet nga dënimi për të dënuarit e mundshëm.

Por edhe nëse nuk do arrijë kjo amnisti të aplikohet direkt për procesin “Gërdeci”, pasi ky mund të zgjatet përtej 28 nëntorit, ne ju bëjmë thirrje deputetëve që të vlerësojnë drejt peshën e atyre veprave penale që kanë treguar në praktikë se mund të marrin edhe dhjetëra jetë njerëzish. Këto nene janë larë me gjak të pafajshëm dhe nuk mund të trajtohen si krime të lehta për t’u amnistuar, sado festë të ketë Shqipëria.

Amnistia nuk parashikon përfitim as për krime ku e ku më të lehta siç janë aksidentet rrugore me plagosje të lehta, ndërkohë që krimeve të rënda si ai i Gërdecit po u jep një shans. Me anë të kësaj amnistie nuk bëhet gjë tjetër veçse jepet mesazhi i pamoralshëm se vrasja e një fshati të tërë është e parëndësishme në një shoqëri demokratike”. Por familjarët e viktimave të Gërdecit shqetësohen se mund të amnistohet edhe Fatmir Mediu, që aktualisht po gjykohet për akuzën e plagosjes së rëndë.

“Gjithashtu shqetësohemi me të drejtë edhe për amnistimin e veprave penale, të cilat kanë nisur të ndiqen me nismën e të dëmtuarve akuzues siç është plagosja e rëndë. Kjo vepër penale, ndonëse në dukje është më e lehtë, është e pamoralshme që pas 3 vjetësh endje gjyqeve ato të mbyllen me rastin e një feste. Për këto arsye kërkojmë me forcë që amnistia të mos falë asnjë vepër penale që lidhet me Gërdecin. Kuvendi është ende në kohë që të riparojë këtë gabim në draftin e paraqitur. Sado e rëndësishme të jetë festa e 100-vjetorit të pavarësisë, amnistia e propozuar, nëse nuk riparohet, do të jetë thjesht një pjatë e shëmtuar për të zbukuruar tavolinat e një dite ku do të hahet drejtësia me turp e bukë”.

Top Channel