Takimi i dytë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, me atë serb, Ivica Daçiç, ka bërë që seanca e Kuvendit të Kosovës të fillojë me akuza dhe përplasje, edhe ndërmjet opozitës.

“T’ia besosh këtij njeriu mbrojtjen e interesit të Kosovës, është sikur t’ia besosh ‘ujkut se do t’i ruajë delet’. Këtë lloj opozite do të kishte ëndërruar, për liderë qeveritar autoritar, tipi i Llukashenkos. Një opozitë, që e përkrah qeverinë bllanko dhe gratis. Opozitë, e cila nuk e sfidon qeverinë, por i nënshtrohet asaj”, tha Glauk Konjufca, deputet i VV.

Pas kësaj kanë reaguar partitë opozitare, LDK dhe AAK, duke e konsideruar si fyerje deklaratën e Konjufcës, ndërsa kanë sqaruar se mbështesin dialogun, pasi është vendosur në rezolutën e Kuvendit, se për çfarë mund të bisedohet, e për çfarë jo.

Ndërkohë, kryeministri Thaçi ka thënë se ka kërkuar ndërprerjen e financimit të strukturave paralele nga Serbia në Kosovë dhe se do të insistojë në çështjen e personave të pagjetur.

Debat edhe në Beograd – Koshtunica: Nuk dimë për çfarë po bisedohet me Kosovën

Takimi i kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiç me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkaktuar polemika në Kuvendin e Serbisë dhe tek përfaqësuesit e partive opozitare.

Për ta, këto bisedime janë jo transparente dhe të parakohshme, pasi ende nuk është miratuar platforma e bisedimeve, me të cilën është dashur të parashtrohen kërkesat e Serbisë.

Ndonëse thonë se bisedimet janë pozitive, demokratët e Vojisllav Koshtunicës, kanë vlerësuar se as deputetët nuk janë në dijeni se çfarë është biseduar dhe nuk dihet kufiri i këtyre bisedimeve.

Ndërkaq, ish ministri për Kosovën, Goran Bogdanoviç, ka theksuar se duhet pasur kujdes për menaxhimin e kufijve, pasi nuk dihet se kush dhe si do të kontrollojë paratë nga doganat dhe se si do të administrohen ato.

Kundër kontrollit të kufijve, gjë që duket më e rëndësishmja për Serbinë, janë edhe serbët e veriut, ndërsa mediat saktësojnë se ende nuk dihet, nëse kontrolli do të vendoset në dy apo në gjashtë pikëkalime.

Por, për qeverinë duket i mjaftueshëm fakti, që tani e tutje nuk do të ketë më veprime të njëanshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA