Serbia i shtrin dorën Kinës, për një hua madhore prej 1,8 miliardë dollarësh, me qëllim financimin e projekteve të shumta infrastrukturore që do të lejojnë vendin të dalë nga recesioni, i cili deri në fund të 2012-s parashikohet të kapë kuotën -1%.
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Mladan Dinkiç, deklaroi ditën e mërkurë në Beograd se qeveria e tij është “jashtëzakonisht e kënaqur” me dy objekte të mëdha në ndërtim falë financimeve dhe ekspertizës kineze, ura Zemun-Borça dhe modernizmi i impiantit energjitik të Kostolacit.
Ministri justifikoi drejtimin e qeverisë së tij nga Pekini pikërisht me realizimin e mirë të punimeve në këto dy projekte dhe me kushtet e favorshme të huasë, që ofron ekonomia e dytë më e madhe në botë.
Kredia e re kineze pritet të shkojë, kryesisht për ndërtimin e tre autostradave të reja në vend, ato Beograd-Ljig, Pojate-Preljina dhe Novi Sad-Ruma-Sabaç-Loznica.
Në deklaratën e tij, ministri evidentoi se lidhjet Beograd-Pekin forcohen edhe nga “pikëpamjet e përbashkëta” që të dy vendet ndajnë dhe mbështetja që Kina i ka dhënë sovranitetit dhe moscënimit territorial të Serbisë, nëpërmjet kundërshtimit të njohjes së Kosovës.
Top Channel