“Dy-tre orë për të shkuar, se njëri nga ne e ka më larg shtëpinë. Duke kaluar lumin, lagemi. Hyjmë në lum se s’kemi nga kalojmë. Kur ngrihet lumi s’shkojmë fare. Lagemi dhe kthehemi në shtëpi. Makina s’kemi. Këtej kalojnë vetëm njerëzit, makinat s’kalojnë, s’vijnë shpesh. S’mund ta kalojnë lumin, është shumë lum i madh”.
Ky është rrëfimi i fëmijëve të zonës së Zallbastarit, pak kilometra larg kryeqytetit, gjatë një vizite të kryesocialistit Edi Rama në këtë pjesë të qarkut të Tiranës.
“Lumi është i pakalueshëm. Edhe kalamajtë e shkollës këtu tek ura s’kalojnë dot. Është 3-4 metra thellësi, nganjëherë i nxjerrim ne në kurriz”, thotë një banor.
Banorët shprehen se çështja e arsimimit të fëmijëve të tyre është lënë mënjanë, edhe pse kjo sipas tyre është zona elektorale e ministrit të Arsimit. Një mësuese e larguar nga puna jep alarmin e braktisjes së shkollës.
“Mungesa infrastrukturës sjell edhe këto vështirësi në arsim. Shkolla është shumë larg dhe nxënësve iu duhet dy orë për të ardhur në shkollë të mesme. Kështu që një pjesë nuk e vazhdojnë, e kanë braktisur shkollën, sidomos braktisje kemi nga femrat. Le pastaj për nivelin arsimor që është shumë i ulët. Gjithashtu, mungesa e mësuesve pa arsim përkatës ka sjellë një ulje të nivelit dhe braktisje të shkollës”, thotë mësuesja.
Nga ana e tij, Edi Rama premtoi se kur të marrë drejtimin e qeverisjes socialiste do të garantojë transportin për fëmijët dhe mësuesit në të gjithë vendin, sipas një strategjie të mirëpërgatitur për arsimin.
“Pra, analfabetizmi shtohet vit pas viti, ose shifrat thonë që ka shkuar 15%. 15% analfabetizëm në mes të Europës është një tmerr. Dhe nga ana tjetër jemi përballë faktit që rrënimi vazhdon dhe nuk ka perspektivë. Ndërkohë që flasim për BE-në, çfarë do jenë nesër të gjithë këta fëmijë që rriten në këto situata si qytetarë të Bashkimit Europian dhe me çfarë dijesh do ta përballojnë Bashkimin Europian? Ne nuk duam që nesër fëmijët e sotëm të zonave rurale të Shqipërisë të jen çirak në BE, por duam që të jenë qytetarë me dije të mjaftueshme për ta përballuar sfidën e hapjes”, deklaroi Rama.
Top Channel