Teksa kompania CEZ rezulton sot me një kapital negativ, Partia Socialiste ka publikuar të dhëna sipas të cilave kjo kompani ka shpenzuar shuma marramendëse për konsulencë.

CEZ Shpërndarje ka ngritur një kompani konsulence, CEZ Albania, që varet drejtpërdrejt nga kompania mëmë në Pragë.

Drejt kësaj kompanie, për shërbime konsulence, CEZ Shpërndarje në vitin 2009 ka paguar 2.5 milionë dollarë, në 2010-ën 7 milionë dollarë, në 2011-ën 12 milionë dollarë dhe në nëntë muajt e parë të 2012-ës 11 milionë dollarë, deklaroi deputeti socialist Arben Ahmetaj.

“Paratë e transferuara në shuma marramendëse në një treg monopol me çmime të kontrolluara dhe ku transparenca duhet të ishte më e thjeshtë. Ka pagesa 250 dollarë në orë për një konsulencë. Pagesa në një orë për një nga menaxherët e CEZ Albania është e barabartë me rrogën mujore të një mësuesi”, deklaroi Ahmetaj.

Deputeti socialist tha se, brenda kompanisë CEZ është e pamundur të marrësh informacion për mënyrën sesi është menaxhuar prej tyre pasuria më e madhe energjitike e shqiptarëve. Arben Ahmetaj citoi përgjigjen e Entit Rregullator të Energjisë po për këtë çeshtje.

“CEZ ka refuzuar të japë shpjegime se ku shkojnë paratë e shqiptarëve. Sigurisht që ka refuzuar, sepse qeveria shqiptare dhe ERE kanë funksionuar deri më sot si klientë”, nënvizoi Ahmetaj.

Ata që paguajnë edhe këto miliona dollarë të CEZ për konsulencë janë shqiptarët, tha Ahmetaj, pasi tregoi një faturë energjie elektrike të një shtëpie të pabanuar, ku faturimi ishte 104 mijë lekë të reja. Ky është abuzimi dhe papërgjegjshmëria e qeverisë ndaj shqiptarëve, deklaroi deputeti socialist.

Top Channel