
Kryeministri i Greqisë, Antonis Samaras, i kërkoi politikanëve që të votojnë një raund të ri shkurtimesh vendimtare, për të siguruar këstin e ardhshëm të shpëtimit nga Bashkimi Europian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe vendet e Eurozonës.
Parlamenti pritet të votojë më vonë gjatë së mërkurës paketën e shkurtimeve prej 13,5 miliardë eurosh, që do të realizohet nëpërmjet rritjes së taksave dhe shkurtimet e pensioneve.
Sindikatat kryesore greke kanë shprehur se do të realizojnë protesta masive përpara Parlamentit, por Samaras deklaroi përpara popullit se pavarësisht masave të reja që do të shtojnë vuajtjet, mungesa e miratimit të tyre do të ishte një katastrofë e vërtetë, pasi të gjithë fondet e vendit do të shterronin deri në datën 15 nëntor.
Paketa e re e shkurtimeve, e katërta e Greqisë në tre vjet, synon të reduktojë defiçitin buxhetor, të ulë borxhin e madh në raport me PBB-në dhe të favorizojë rritjen e konkurrencës ekonomike.
Njëkohësisht, paketa e re do të rrisë moshën e daljes në pension në moshën 67-vjeçare, e do të ulë pagat dhe shpërblimet shtesë, së bashku me një sërë ndryshimesh ligjore, që e bëjnë tregun e punës më fleksibël.
Sindikatat e kanë kundërshtuar këtë paketë në mënyrë të plotë, duke u shprehur se jo vetëm që do të ulet mirëqënia nëpërmjet shkurtimit të pagës, por do të lehtësohet gjithashtu shkurtimi i vendeve të punës, në një kohë kur papunësia ka kaluar kuotën e 25%, si rrjedhojë e recesionit që ka hyrë në vitin e tij të pestë.
Top Channel